Poeti i sakrifikuar për Çamërinë

(Legjenda e gjallë – Namik Mane)

Miku im, shkrimtari Shefki Hysa, më ka njohur me gjithë rrethin e miqve të tij krijues. Ai, si njeri i rrallë, i ka edhe miqtë të rrallë. Janë njerëz që të lenë mbresa, të mbesin për jetë në kujtesë dhe të frymëzojnë me bëmat e tyre.
I tillë është edhe poeti Namik Mane – Legjenda e Gjallë e Çamërisë, siç e cilëson në shkrimet e veta krijuesi Shefki Hysa.
Namik Ali Mane rrëfen se ka lindur në mars të vitit 1942 në fshatin Koskë të krahinës së Çamërisë, fshat në kufi me Shqipërinë.
Gjyshi i tij, Rustem Izet Mane dhe të katër djemtë: Mania, Shabani, Aliu dhe Muharremi qenë burra trima, patriotë dhe të besës dhe në veçanti Rustem Izeti bëri që mbiemri “Mane” të lihej disi në hije dhe të zëvendësohej me emrin e tij, si mbiemër për fisin. Kështu ata u quajtën “Rustemenjtë”.
Për bëmat dhe virtytet e këtij fisi nga ka prejardhje Namiku, e ndjej nevojë t’i referohem enciklopedisë jug-shqiptare, vëllimi i dytë, faqe 704 të historianit Ibrahim D. Hoxha. Po e citoj të plotë atë.
“Rustemenjtë”. Dega kryesore e mananjet. Derë përherë e hapur për cilindo nevojtar, pa vërejtur besim dhe kombësi, prej saj dolën disa atdhetarë nga më të përkushtuarit dhe luftëtarë nga më të guximshmit. E vetmja familje jo bejlerësh që bënte krushqi me Dinenjtë. Fuqia, kamja, trimëria e tyre arritën kulmin sidomos me Rustem Izet Manen. Një nga shtyllat kryesore të lëvizjes kombëtare në Çamërinë veriore gjatë viteve 1902 – 1912. Rustem Izet Mania dhe të katër bijtë e vet, trima si dhe i ati, u bënë pjesëtar nga më të dalluarit të Çetës së Muharrem Rushitit, edhe luftëtarë edhe ndihmëdhënës ekonomikë. Ata u dalluan edhe gjatë luftimeve të viteve 1912 – 1913 për mbrojtjen e Çamërisë nga pushtimi i ushtrisë greke… Shtëpia e Rustemenjve u bë njëra prej nyjeve kryesore të shtigjeve për kalimin e luftëtarëve çamë përtej kufirit shtetëror për t’u ndalur dorën pushtetarëve keqbërës grekë kundër popullsisë shqiptare në Çamërinë e robëruar. Si rrjedhim, pjesëtarët e saj iu nënshtruan ndëshkimeve më ç’njerëzore, të cilat vetëm një greku mund t’i shkojnë në mendje dhe mund të ketë zemër që t’i përdorë. Kushedi sa herë ata i rrahën të varur lakuriq, kokëposhtë dhe kushedi sa herë lënguan me muaj prej plagëve të shkaktuara nga shkopi. Shkurt: Shërbimi kombëtar në dobi të atdheut, Shqipërisë, i mbajti përherë në gojën e ujkut grek… Ruhen te bashkëfshatarët e tij dhe pasardhësit e tyre fjalët: “Për punë kombëtare Rustemenjtë nga greku hëngrën më shumë dru se kapshore buke në shtëpitë e tyre”. Edhe gjatë kryengritjes së viteve 1943 – 1944 ata bënë gjithçka që ishte e mundur që: “Mishi të piqej dhe helli të mos digjej”.
Gjatë 10 ditëshit të fundit të shtatorit 1944 ata si tërë bashkëfshatarët e vet u shtrënguan të shpërnguleshin familjarisht nga vendlindja dhe të vendoseshin brenda kufirit të shtetit shqiptar, për të cilin ishin përpjekur aq shumë. Në vend që të vlerësoheshin dhe të nderoheshin siç u takonte, u keqpërdorën si mos më keq. Pushtetarët komunistë të Durrësit ku kishin zënë përfundimisht vend ua nxinë jetën, ashtu si pushtetarët grekë në Çamëri. Me një vendim të posaçëm të Komitetit të Partisë u morën shtëpinë e blerë prej tyre dhe i përzunë fare nga Durrësi.
Namik Mane është pinjoll i denjë i këtij fisi. Manet, në fundin e vitit 1948 u strehuan të gjithë në Durrës. Ata blenë një shtëpi të madhe për kohën.
Poeti Namik Mane, shkollën fillore dhe të mesmen i bëri në Durrës. Mbasi nuk iu dha e drejtë studimi për të vazhduar shkollën e lartë (mënyrë ndëshkimi e diktaturës komuniste për kundërshtarë politikë), vazhdoi teknikumin e mbrëmjes dhe u bë teknik elektrik, profesion që e ka vazhduar me vite.
Poeti e ka ngërthyer në vargjet e veta këtë copëz të jetës:
Unë shoh të ardhmen në vijat e duarve të mia,
Të shumta janë udhët…
Katarakteve, hidrocentraleve do thinjem…

Kështu shkruan poeti Namik Mane në gazetën “Drita” rreth vitit 1965. Duket se shpirti i tij me prirje profetike, si i çdo krijuesi të talentuar, parasheh të ardhmen e trazuar prej dallgëve të kohës komuniste.
Poezitë e para i ka botuar shumë herët. Rreth fillimit të viteve ’60, kur poeti nuk i kishte përjetuar ende prapësitë e jetës, shkruante me sinqeritet dhe naivitet fëminor:
Mes qiellit me yje dy sy po shoh
Dhe ndjej në zemër diçka që më ngroh,
Nga trupat qiellorë ndrisin më shumë,
Prandaj dhe netëve më lënë pa gjumë…

Shpaloste kështu flatrat e shpirtit adoleshent të mbushur me dashurinë për jetën si në ëndrra.
Në vargjet e një poezie tjetër:
Shihe hënën, shihe si lëviz në qiell,
Kapur nga qerpikët tek ti po e sjell…

Pra, në shpirtin e tij poetik frynin ende erërat e ngrohta pranverore, shpaloseshin ylberët e dashurisë. Duket se këto janë krijimet e para të një të riu që nga dita në ditë e rriste patosin poetik dhe nuk kishte si të mos vihej re nga rrethet letrare të atyre viteve.
Redaktorët e ndryshëm e mirëpritën. Ia botuan poezitë. Lexuesit e pëlqyen.
Atë periudhë poeti i ri Namik Mane u njoh me shumë letrarë si: Viktor Qyrku, Musa Vyshka, Koçi Petriti, Shefki Karadaku, Sotiraq Gjerdani, Bardhyl Agasi, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, Bedri Myftari dhe Bilal Xhaferri.
Me dy të fundit, meqenëse e kishin prejardhjen nga Çamëria, u lidh shumë. U bënë shokë e miq të pandarë. Madje të tre menduan të bënin një vëllim të përbashkët për fatin e popullsisë Çame.
Poetët sa herë takoheshin me njëri-tjetrin fillonin e deklamonin vargjet e poezive të veta. Dhe kjo ishte një nga shkollat më të mira ku hodhi shtat dhe u poq krijimtaria e tyre.
Ja si dëshmon shpesh shkrimtari Bedri Myftari:
“Kur kam dëgjuar për herë të parë nga Namiku vargjet “Zbresin kumborat nga mali/ me osaka, spartile, ngarkuar”, ta dish, jam mrekulluar! Mbeta pa fjalë edhe prej vargjeve “Kërkoj në stacionet e radios çdo natë/ po ti, Çamëri, nuk thua një fjalë”…
Vërtet vargje domethënëse. Kur i dëgjon edhe vetë, patjetër që do t’i japësh të drejtë poetit Bedri Myftari për emocionet që ka përjetuar. Sa dhimbje ka në këto vargje dhe sa të frikshme duhet të ishin për kohën…
Të tillë janë edhe vargjet monumentalë:
Çamëri, Çamëri,
Pjergull me lotët e mi…

Poeti Bedri Myftari shprehet jo më kot shpesh mes miqve me një ton befasues:
“Ta dini mirë, mua frymëzimet e para për Çamërinë, m’i ka rrënjosur Namiku”…
Gjatë viteve ’60, poeti Namik Mane botoi herë pas here në organet periodike letrare si gazetat: “Luftëtari”, “Zëri i Rinisë” dhe “Drita”. Ai botoi dhe në revistat: “10 Korriku”, “Ylli”, “Shqiptarja e Re”, “Nëndori”.
Poeti Namik Mane ishte i ndërgjegjshëm për shtresën shoqërore nga vinte. E dinte fare mirë se nuk ishte nga të parapëlqyerit e regjimit komunist. Prandaj ai tregohej shumë i kujdesshëm në përzgjedhjen e krijimtarisë që paraqiste për botim. Ruhej nga gotitjet e censurës, si duket e njihte shumë mirë veten.
Në vitin 1960 – 1962 kreu shërbimin ushtarak. Kështu Namik Mane u bë poeti më tipik me krijimet me tematikë ushtarake. Ishte periudha kur ai e ngriti në kult atë tematikë. Trimëria, besnikëria, vetëmohimi, trashëgimi e fisit “Mane”, ishin virtytet kryesore që bartte poezia e tij. Dashuria për të mbrojtur Shqipërinë në mendjen e poetit njësohej me mbrojtjen që ai kërkonte t’i bënte Çamërisë. Vjershat e atyre viteve janë gjetje brilante me një figuracion dhe mesazhe mahnitëse.
Le të marrim poezinë “Kur nisim udhën” të botuar te gazeta “Zëri i Rinisë”:
Kur nisim udhën nëpër natë,
Nga gjumi kur na zgjon buria,
Të gjithë mendojmë të shqetëuar:
Diku na thërret Shqipëria!
Dhe ndodh nga ky shqetësim i madh,
Kur ne vrapojmë në armaturë,
Diçka të lëmë në bujtinë,
Por pushkën s’e harrojmë kurrë…

“Kjo vjershë është si Radium!” – kështu shprehej një poet i atyre viteve kur lexoi vargjet e saj në faqet e gazetës.
Nuk ka vetëm konceptime heroike te poezitë e Namikut. Ai brenda kësaj tematike gjen hapësira të mëdha e motivohet me origjinalitet e me një lirizëm të spikatur.
Ja si shprehet poeti në një poezi të periudhës nëntor 1966:
Shokët janë mbledhur në grupe,
Vrasin mërzinë, dashurisë i këndojnë.
Më solli tek ti kënga e tyre,
E dashur të nisa një letër…
Në çast u dëgjua: Alarm!
Nuk dija ç’të bëja më parë,
Mblodha pajimet e mia
Dhe ty në letrën e bardhë…

Poeti Namik Mane ka shkruar me dhjetra vjersha të tilla me gjetje interesante, me figura të mrekullueshme.
Ja disa vargje të shkëputura:
Gishtërinjtë e këmbëve i godas me kondak, i ngroh…
Të tjera vargje:
Derdh argjendin hëna pa kursim,
Sikur do t’i zbardhë këto netë.
Përmbi bar të shtrirë kemi rënë,
Shokët flenë, gjumi nuk më zë,
Tani jam kaq pranë tokës mëmë,
Sa me buzë mund ta prek atë…

Çfarë u bë me këto vjersha? Poeti Namik Mane i përmblodhi në një vëllim. U vuri titullin “Lirikat e Ushtarit”. Vëllimin e mori për redaktim kritiku i mirënjohur Adriatik Kallulli (atëherë punonjës në ndërmarrjen botuese). E pëlqeu shumë.
Mbasi u redaktuan me kujdes poezitë, vëllimi u pranua për shtyp. U realizua dhe kopertina e librit…
Ishte shtatori i vitit 1966. Pritej botimi, po libri nuk doli në qarkullim. Pse? Ç’kishte ngjarë? Ç’duhej bërë? Ç’ishte kjo enigmë?…
Poeti Namik Mane me shqetësim trokiti në shumë dyer. Asnjë përgjigje!
Së fundi i thanë:
“Na ka ardhur një relacion nga Durrësi”…
Vetëkuptohet, pas këtij fakti, poetit Namik Mane i mbyllën dyert edhe redaksitë. Përfundimisht i hoqën të drejtën e botimit.
Si e përjetoi poeti këtë rast? Domosdo ndjeu dhimbje. Njëlloj si t’i kishin prerë gjuhën për të mos folur, për të mos u shprehur… Ishte vërtet dhimbje shokuese, por shpirti i poetit gjen fuqi dhe e mposht dhimbjen, krijon…
Namik Mane, në këtë periudhë të vështirë, shkroi vjershën “Pulëbardha” (poeti i mirënjohur Ali Podrimja e ka përmbledhur tek Antologjia poetike “Eni vjen nga Çamëria”), një ndër krijimet më të arrira. Pulëbardha, vetëkuptohet, është vetë poeti, Namiku!
Ja si shpalosen vargjet e saj:
Ka shpirtin të mbushur me ëndrra lirie,
Si ëndërr e bardhë fluturon kaltërsive.
Po befas në mjegull errësohet agimi,
Si valë e shtyn era mbi shkrepat shkëmborë.
Krak, krisi krahu, i mpiu dhembja forcat
Dhe sytë e etur në mjegull u shuan.
E ndjeu, s’mund të merrte më rrugën në qiell
Dhe vdekjen e pa mbi det pasqyruar.

Dhe më tej vazhdon:
Dy pika lot lëshoi, dy margaritarë,
E qau jetën e saj të shkurtër sa një ëndërr,
Gjithçka që kishte nisur, përgjysmë e kishte lënë…

Por së fundi Pulëbardha gjen forca, lufton me dallgët e erërat dhe duke u përpjekur thërret:
Dëgjomë, ti o det,
Kush njohu hapësirat, të vdesë nuk është e lehtë!
Dhe trupin tim të lodhur s’e ndesh me peshq të vegjël,
Me turma frikacakësh nuk mund të nis luftim,
Kopenë e peshkaqenëve që sulet e pangopur,
Do pres; do fluturoj, derisa ta shoh tek vjen…

Vërtet një gjendje brengash dhe shpresash të thyera. Por, Pulëbardha-poeti nuk di të dorëzohet.
Ishte periudhë heshtjeje ogurzezë. Gazetat dhe revistat ia kishin mbyllur përfundimisht derën. Poeti ndjente jo vetëm braktisjen e pushtetit, por dhe ftohtësinë në pjesën më të madhe të miqve dhe shokëve.
Ja se si e përjeton poeti këtë gjendje te Pulëbardha:
Dhe ndërsa fluturonte i bënte pyetje vetes:
Çudi, ky shkëmb, ky det që unë i desha shumë
Çudi, sesi këta mu kthyen në armiq!…

Megjithatë poeti gjente fuqi për të mbijetuar. Pikërisht te pena e tij.
Ai shprehet herë-herë për atë periudhë absurde dhe për qëndrimet enigmatike të censurës komuniste:
“Ishin vërtet kohëra të vështira, vetëm ata që kanë jetuar në kohën e komunizmit mund ta kuptojnë atë situatë apokaliptike. Unë mbijetova se kam patur edhe miq të mirë si Bardhyl Agasi, Sotiraq Gjordeni, Bedri Myftari dhe Bilal Xhaferri që më kanë ndenjur pranë, më kanë dhënë kurajë dhe ma kanë lehtësuar barrën e rëndë të persekutimit”.
Nga fillimi i vitit 1967 deri në maj të vitit 1968, poeti Namik Mane ka patur një krijimtari të paktë. Përjetonte më shpesh momente letargjikë, ishte në mëdyshje, duhej ruajtur ekzistenca fizike dhe një gjë të tillë e bëri më së miri: u mbyll brenda vetes…
Dukej sikur lufta e klasave nga fisi “Mane” kishte prekur vetëm Namikun, por nuk vonoi dhe më 25 maj 1968 i tërë ky fis u internua dhe u dëbua nga Durrësi. Bëheshin afro 56 veta. Një pjesë e çuan në Kryevidh dhe një pjesë në Hamalle të fermës së Sukthit.
Tani poeti Namik Mane nuk kishte çfarë të humbiste. Ai u zgjua. Zuri të shkruante poezi me nerv dhe me një bukuri artistike që do e kishte zili çdo poet.
Le të përmendim disa nga këto poezi dhe vargjet e tyre:
Në dimrin e parë të internimit,
Bora kishte rënë e bardhë,
Si në vitet e para, si në vitet e mia të fëmijërisë.
Desha të luaja me nipërit me gazin e tyre,
Ku ishin ata?!
Oborri në heshtje dhe pylli në heshtje,
Ku ishin ata?!
Befas hodha vështrimin në dritaret e tyre,
Pashë në sfondin e bardhë fytyra të ngrira,
Lexova mendime të trishta mbi xham…

Këto vargje janë shkruar në Hamalle, në vitin 1968. Është një poezi me një tharm shpirtëror, duket si një konstatim me nuanca trishtimi që kalon lehtë, por, po ta vëresh me kujdes, kupton se është fillimi i një revolte njerëzore.
Ja si do të shprehej rebelimi i hapur në poezitë e shkruara ca më vonë:
Në parcelën me lakra,
Kush mund të këndojë një këngë gazi?!
Jehonë e gënjeshtërt e popullit tim,
Këtu të shkurton ditët lopata dhe balta,
Këtu lindin vajet e nënshtrimit.
Dhe rrallë dikush me vete shau
Me djall, me Perëndi !…
Dhe me shkelm godet përmbi lakër
Si mbi kokë të mbretit të tij!…

Ndihet edhe më shumë revolta në një vjershë tjetër, ku poeti bërtet:
O Brut!
Ringjallu tek njerëzit e sotëm,
Që thikën në kraharor
T’i ngulësh atij!…

Këto vargje janë një thirrje e hapur për të eleminuar të keqen e kohës. Bëhet fjalë për diktatorin komunist që me ideologjinë e vet të luftës së klasave po e shpinte vendin drejt katastrofës.
Në poezinë “Në cilin kamp”, poeti jo vetëm konstaton dhe dëshmon për gjendjen tepër të rëndë të shqiptarëve, por deklaron se është gati të bëjë aktin më sublim, sakrificën e vetvetes, vetëm e vetëm që gjendja në Shqipëri të ndryshojë.
Ai shpalos idealet e tij si flamur kushtrues në duart e një prijësi të vërtetë popullor:
Në cilin kamp nuk lindi dëshira për të fluturuar,
U groposën idealet e shenjta,
Nga gjurmët e ndotura të prijësve të sotëm
Dhe ti hesht, popull!
Kam dhembje, o popull!
Po shtroj trupin tim nëpër këmbët e tua:
Shkel dhe mbi mua!
Shkel dhe mbi mua!

Vargjet e këtyre poezive luftarake poeti Namik Mane, pasi i krijonte, i përsëriste shpesh me vete, i mësonte përmendësh, nuk besonte më askënd (miku i tij, Bilal Xhaferri, ishte arratisur). Falë kujtesës së tij fenomenale dhe përsëritjeje të shpeshta me veten, poezitë mbijetuan dhe kanë ardhur deri në ditët tona.
Kur shkruan për jetën dhe krijimtarinë e poetit Namik Mane, nuk mund të rrish pa përmendur edhe diçka për veprimtarinë e krijuesit disident Bilal Xhaferri. Ka një moment kur jetët e tyre përzihen e ngatërrohen në një nyje të pazgjidhshme. Ndosha një nyje fatale e pleksur nga absurdi i kohës, nga veprimet shtypse e tjetërsuese të asaj diktature të egër që kishte uzurpuar jetën e Shqipërisë.
Në prill të vitit 1968, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, bëhej diskutimi i romanit “Dasma” të shkrimtarit Ismail Kadare. Poeti Namik Mane nuk mori pjesë në atë diskutim, mbasi bëheshin dy vjet që i ishte hequr e drejta e botimit. Miqtë e tij morën pjesë, edhe Bilal Xhaferri.
Censorët e diktaturës e lavdëronin romanin dasma si modelin më të mirë të krijimtarisë së Realizmit Socialist. Shkrimtari Bilal Xhaferri, përkundrazi u ngrit, diskutoi dhe, me argumenta bindëse, ia mohoi vlerat romanit.
Pasojat e diskutimit dihen: Bilal Xhaferrin e dëbuan nga mbledhja, nga Lidhja e Shkrimtarëve, nga Tirana, madje dhe nga Durrësi. E internuan në sektorin Kullë të fermës së Sukthit, shumë pranë familjes së Namikut.
Pra, fati i bashkoi dy miqtë në Hamalle të Durrësit. U përzie edhe krijimtaria e tyre. Miqësia shtohej dita-ditës. Rrinin thuajse çdo mbrëmje bashkë. Ideja e vjetër për krijimin e një përmbledhjeje me vjersha për Çamërinë nisi të bëhet realitet. Përmbledhjen e titulluan “Një siluetë në errësirë”, nisur nga një vjershë e Bilalit. Mirëpo jeta nën trysninë e diktaturës komuniste kishte të papriturat e saj.
Në fundin e gushtit 1969, poeti Bilal Xhaferri u detyrua të arratisej nga Shqipëria për t’i shpëtuar burgimit. Shkoi në Amerikë. Vëllimin “Një siluetë në errësirë” nuk e mori me vete. Mbase kushedi, mendoi se mund të ndodhte që të kapej në kufi, gjë që do të kompromentonte edhe mikun e besës, poetin Namik Mane…
Për këtë bashkëpunim, Bilal Xhaferri shkroi më vonë në Amerikë në revistën “Krahu i Shqiponjës”, në maj – gusht 1976.
Bilali thotë:
“Do të botojmë së shpejti tregimin: “Vdekja në rrugët e Çamërisë”. Autorët Antika Tasini dhe Kiman Halil Çami (Kiman është leximi mbrapsh i emrit Namik) kanë punuar së bashku disa muaj me radhë për të përgatitur dorëshkrimet dhe ilustrimet e këtij tregimi. Vepra e tyre u kushtohet ngjarjeve të përgjakshme të ditëve të fundit të shkatërrimit të Çamërisë nga grekët në mbarimin e luftës së dytë botërore”.
Fjalët e Bilal Xhaferrit, vetëkupohet, nuk shprehin drejt për drejt bashkëpunimin për vëllimin “Një siluetë në errësirë”, por një lexues i vëmendshëm e ndjen se për çfarë flitet.
Në dhjetor të vitit 1973, familja e Namik Manes u rikthye në Durrës, por jo në shtëpinë e tyre. Ata u vendosën në Spitallë, atëherë po sektor i fermës së Sukthit.
Poeti Namik Mane nisi të kërkojë të drejtën për botim… Në vitin 1978 për afro dy vjet, me ndihmën e mikut të tij Bardhyl Agasi dhe Llazar Ziut (atëherë instruktor i Komitetit të Partisë të qytetit të Durrësit) Namikut i rikthejnë të drejtën e botimit. Në vitin 1980, vëllai i tij i madh, Halil Mane u arrestua për agjitacion dhe propagandë dhe u dënua me dhjetë vjet burg. Vetëkuptohet, dyert e botimit u mbyllën sërish për poetin Namik Mane.
Situatë e ndërlikuar. Mbase dhe me pasoja të mëdha për atë dhe familjen. Vëllimin poetik “Një siluetë në errësirë” poeti e futi në tre qese plasmasi dhe ato i groposi në kopshtin e tij, pa i thënë asgjë nënës, vëllezërve e gruas.
Disa vite më vonë, pas vdekjes aksidentale të një shoku, mendoi se njeriu mund të ndahet nga jeta papritmas, ndaj u detyrua t’i thoshte vëllait më të vogël, Pëllumb Mane:
“Në kopsht kam groposur krijimet e mia dhe të Bilalit”…
Pa kaluar viti, vëllai i nxori ato nga dheu, por i gjeti në një gjendje tepër të mjeruar. Shumica e poezive nuk lexoheshin dhe atij i duhej t’i rikrijonte vargjet. Dhe dihet se rikrijimi është thjesht kopje e përafërt e krijimit, nuk kanë të njëjtën vlerë.
Ja si e ka përjetuar poeti Namik Mane këtë ndodhi:
Zogjt s’i mbledhin do këngët e tyre
Humbur nëpër degë dhe gjethe pylli…
Por ka keq edhe me keq,
Mua vargjet dheu m’i përpiu
Pa e njohur kush lindjen e tyre…

Kjo poezi është përmbledhur në vëllimin “Pjergulla e lotëve”, 1995.
Në poezinë “Pishmanet e mia” të shkruar në këto tre vitet e fundit poeti thotë:
Pishman kam për të ikur nga kjo jetë,
Se me dorën time kam varrosur dikur
Vetë vargjet e mia,
Dhe çfarë desha t’i ruaja Bilalit
I humba të gjitha…

Në shkrimin e botuar në gazetën “Drita”, më 22 janar 1995, “Korigjime në biografinë e Bilal Xhaferrit”, poeti Namik Mane, me altruizëm dhe modesti të theksuar pohon:
“Ndoshta Zoti i krijoi ngjarjet kështu, se vargjet e mia nuk ishin të denja të rrinin pranë e pranë me ato të Bilalit”.
Vini re me kujdes. Rilexojeni thënien e tij. Dhe do të bindeni se askush nuk mund të thotë më shumë se kaq, askush nuk mund ta shprehë më mirë dashurinë dhe vlerësimin për mikun e vet sesa poeti Namik Mane.
Të shprehësh vlerësimet e tua për një poet si Namik Mane me përmasa të mëdha të shtrira në një hapësirë kohore sa kaotike e apokaliptike, nuk mund të rrish pa përmendur edhe krijimet poetike të viteve të fundit. Bëhet fjalë për periudhën postkomuniste, pas vitit 1990. Kanë rrjedhur shumë vite tranzicioni. Janë vite qetësie në dukje, por për një poet si Namiku nuk ka kurrë qetësi. E barazvlefshme me vdekjen qetësia për poetin. Prandaj ai nuk rresht së kërkuari motive të reja. Kërkon e krijon. Dhe shpalos madhështinë përmbyllëse të një heroi të rikthyer nga luftërat.
Nuk gaboj aspak po të them se shumë nga krijimet e Namikut në këtë periudhë moshe, jane të paarritshme.
Ja si i këndon ai Çamërisë:
Më djeg gjoksi prej kaq vitesh,
Nga një mall që s’ka përmasa.
Dhe në u thafshin oqeanet,
S’e nxëjnë dot këtë mallin tim,
Vetëm ti mund ta mbash brenda,
Në gjoksin tënd, moj Çamëri!…

Kujtohet e shkruan dhe për dashurinë. Dhe, kur i përkushtohet me kaq shpirt kësaj ndjenje madhështore njerëzore, në këtë moshë të thyer që ka, të duket sikur do të matet me Gëten.
Ja si shprehet:
Më dridhëron një dridhërimë në shpirt,
Paskam ndrydhur brenda vetes
Kaq dhe kaq pasione.
Ndjej tani sikur më digjet dora,
Si nga një e prekur e hershme fëmijërie…

Namik Mane është edhe tregimtar i mirë. Më besoni, ai ka vërtet tregime të bukura, të cilat ia vlerëson shumë shkrimtari Shefki Hysa, miku ynë i përbashkët, prandaj nuk po zgjatem më me poezinë e tij.
E kam këshillë prej shkrimtarit Shefki Hysa se të tjerrësh fjalë të përsëritura është mëkat. E vret shpirtin e fjalës. Dhe nuk mund të gaboj e të bëhem pre e cfurkut të ironisë së tij. Ai cfurk në duart e mikut tim Shefki Hysa më ngjan ndonjëherë me ato rrufetë e Zeusit çam. Këtë përshtypje e ka edhe poeti Namik Mane dhe tërë miqtë tanë krijues.
“Edhe të dua, nuk mund të rri pa krijuar, se më mbysin rrufetë e zemërimit të mikut tim Shefki Hysa, i cili, me tërë atë pasion që ka për krijimtarinë letrare, më kujton të ndjerin Bilal Xhaferri. Edhe ai nuk të falte. Kështu që duhet të tundem, sidomos për tregimet; të shkund neglizhencën dhe t’i mbledh në një libër. Do të mbledh edhe krijimet e fundit me poezi, po të dua të jem i qetë prej cfurkut të shkrimtarit Shefki Hysa”, – shprehet me të qeshur Namik Mane.
Dhe këtë situatë ai e ka skalitur edhe në vargje:
Ç’mund të thonë për mua këngët e mia?
Që s’i mblodha kurrë me njëra-tjetrën…

Më tej ai vazhdon:
Një poet i njohur nga vetvetia
Mbete mes poetëve zhurmëshumë,
Mbete ti që nuk të trembi flaka,
Kur ajo të dogji dhe qerpikët…

Në vitin 2003 Namik Mane botoi vëllimin më tregime “Një natë e zakonshme”. I mblodhi dhe i redaktoi miku ynë, botuesi Shefki Hysa. Këto tregime janë si të thuash njëfarë autobiografi e autorit. Ato dallohen për një pasqyrim realist të jetës, për vërtetësi dhe frymë poetike. Ndëmjet stilit bisedor, pa sajesa e stisje, Namiku krijon një prozë që lexohet me një frymë, janë si ca karamele që treten lehtë…
Në tregimet e tij përshkrimi i natyrës, peizazhet, zënë një vend parësor, ato kanë lidhje organike. Personazhet duket sikur shkrihen me peizazhin, bëhen një me të.
Ja një pjesë nga tregimi “Kartëvizitat”:
“Me mendje nisa të radhis këto rreshta: Mali është çarë. Këto ujra janë mbledhur për të treguar madhështinë e njeriut. Se mjergulla zbret dhe tretet nga dashuria për ujrat, se pishat dhe bredhat i rrit ngrohtësia e tokës, se shkëmbi që është shkëmb hap gjoksin e ngurtë për rrënjët. Se gjithçka që rritet, se gjithçka që krijohet, ka ushqim dashurinë”…
Namik Mane tregimet i ka të shkurtra, i shruan me një frymë, gjithë emocion, që të krijojnë herë-herë idenë se autori ngutet të zbrazë dufin e tij dhe në pak faqe na jep të plotë dhe bindës fatin e personazhit. Proza e Namikut dallohet për mirësi e fisnikëri, si vet shpirti i autorit, por është njëkohësisht dhe një mesazh shprese për pajtim dhe paqe midis njerëzve…
Në vëllimin “Një natë e zakonshme” një vend të rëndësishëm zënë edhe tregimet për Çamërinë si: “Perëndim në shpirt”, “Betimi”, “Grekja”, “Tapitë”, tregime për të cilat miku ynë Shefki Hysa shprehet se do t’u bënin nder edhe autorëve si Xhek Londoni…
Shënimet e mia për krijimtarinë e poetit Namik Mane, Legjenda e Gjallë e Çamërisë, siç e cilëson shkrimtari Shefki Hysa, do doja t’i mbyllja me thirrjen e tij brilante “Miq, mos harroni Çamërinë!”…
Ja si jehon zëri i poetit:
“Fjalën time sot nuk po jua drejtoj juve nëna, baballarë, vëllezër, nipër e motra çame. Ju jeni kudo brenda meje. Ne jemi pjellë e njëri tjetrit. Ndaj, nuk e shoh të udhës t’i drejtohem vetes sime.
Dua t’ju drejtohem juve, miqve e dashamirëve të Çamërisë.
Padrejtësitë janë të shumta dhe të ndryshme, ato mund t’i bëhen një populli, një krahine dhe një individi. Padrejtësitë që i bëhen individit mund të mbeten të pandreqshme dhe mund të shuhen bashkë me individin. Jeta është e shkurtër!… Po kurrë padrejtësitë, që i bëhen një populli nuk mund të mbeten të harruara. Se brezi ia lë brezit… Populli nuk harron…
A mund të mbetet e harruar çështja çame? Interesat e politikës greke e duan të tillë. Ndofta dhe një pjesë e politikanëve shqiptarë nuk duan të merren me këtë problem. Ata i kalojnë tanget këtij problemi. Ne, çamët, nuk pajtohemi me këtë qëndrim. Mjaft kemi heshtur, mjaft kemi duruar dhëmbjen në gjoks, mjaft me kujdesin e tepruar, me kujdesin se mos prekim qeveritë, qeveritë që tërë jetën na kanë tradhtuar, qeveritë që tërë jetën na kanë harruar. Nuk jemi kundra maturisë, nuk jemi kundër kujdesit. Por sot, çamrit, kujdesi i tepruar i plogështon…
Jemi një popull muhaxhir i shpërngulur me dhunë. Jemi rasti më tipik në botë. Afro njëzet përqind e popullsisë e masakruar, e gjithë pasuria e grabitur. A ka rast më tipik se ky? Në këtë klimë vëllazërimi të popujve a nuk duhet që ju, o miq, të merreni me këtë çështje?
Presim ne, çamrit, pranë radiove, televizorëve se mos dëgjojmë ndonjë fjalë për Çamërinë tonë të dashur. Një fjalë e mirë e juaja na ringjall, na jep forca.
Ja, këto ditë, fjalë shpresëdhënse kemi dëgjuar, fjalë që janë bërë balsam për zemrat e plagosura të çamëve. Këto vijnë nga vendi më demokratik në botë, Amerika, por ka dhe thënie dhe kundërthënie të tjera, që i thellojnë më shumë plagët tona. Kështu do të mbetemi me plagë?!
Po ju drejtohem juve, o miqtë tanë, tregoni urtësinë tuaj, pjekurinë tuaj, humbni ca kohë që të njiheni me të vërtetën çame. Ajo flet vetë, ne kërkojmë ta vështroni këtë. Të mbroni të drejtat elementare të njeriut.
Si thoni? A ka të drejtë qeveria greke të na mohojë pronat? A ka të drejtë të na mohojë atdhesinë?
A kishte të drejtë qeveria e Enver Hoxhës, në vitin 1953, që, pa na pyetur, na ndërroi nënshtetësinë? Pse u bë ky veprim, nga ç’motive? Ç’prapaskena janë luajtur në ato vite në dëm të popullit çam? Këto pyetje duan përgjigje.
Sot qeveria greke pretendon se problemi çam është harruar dhe nuk ekziston duke nxjerrë arsyetime absurde qesharake: Gjoja se çamët paskan qenë bashkëpuntorë të fashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe si të tillë janë dënuar me humbjen e së drejtës për t’u kthyer në atdhe, janë dënuar me humbjen e pasurisë. “Bukur!” Diplomacia greke!
Të mendojmë për një çast se dy a tre çamë kanë bashkëpunuar me fashizmin. A nuk ka pasur edhe nga grekërit bashkëpuntorë me fashizmin?! Po pastaj? Duhet të dënohen bijtë e tyre, do dënuar një popull i tërë?! Bravo demokracia greke!
Ne kërkojmë të vihen në vend të drejtat tona. Të na kthehet nënshtetësia, të jetojmë pranë vëllezërve tanë grekë. Ta dini mirë, miqtë i kemi me mijëra, ndërsa armiqtë me numra.
Bëni një udhëtim në veriperëndim të Greqisë. Do dëgjoni se ende flitet një çamshe e kulluar. Do ju tregojnë histori të dhimshme themelet dhe muret e rrëzuara të shtëpive tona, do ju flasin varret e gjyshërve e stërgjyshërve tanë, varret e tyre kërkojnë varret tona.
Janë ende gjallë ca pak baballarë tanë, që po kërkojnë të flasin me ju. Jemi gjallë ne, bijtë e tyre, që e njohim mirë shtrirjen e Çamërisë. S’kemi nevojë për harta, s’kemi nevojë për tapira, i dimë saktë sinoret tona. Po ne kërkojmë mbështetjen tuaj humane, o miq, kërkojmë urtësinë tuaj, kërkojmë t’i hidhni një vështrim problemit çam dhe do shikoni se është mbushur plot e përplot me të vërteta”…
Pra, siç mund ta gjykoni edhe ju, kjo thirrje, e poetit Namik Mane, është një fjalim-krijim poetik, një kushtrim programatik i mbajtur në Kuvendin e 7-të të Shoqatës Politike Atdhetare “Çamëria”, në tetor të vitit 2002.
Poeti Namik Mane me këtë prozë poetike shpalos një model se si politikanët duhet të bëjnë politikë e diplomaci për të finalizuar zgjidhjen e çështjes së Çamërisë, si pjesë e problemeve mbarëkombëtare shqiptare.
Kështu, Njeriu, Poeti, Politikani Namik Mane, të shkrirë në një personalitet të vetëm, shpalosin përmasat e një luftëtari, i cili ngre zërin për Paqe.

Paulin Rranzi
Shkrimtar

Leave a comment