Aleksandër Zefi – Njeriu i aventurave

Aleksandër Zefi – njeriu i aventurave

ImageAleksandër Ludovik Zefi u lind në qytetin e Shkodrës më 13 maj 1978. U rrit në një familje të vjetër shkodrane me origjinë të largët nga Shoshi, nga fisi i Bajraktarit. Aleksandri arsimin fillor, tetëvjeçar dhe të mesëm i mori në vendlindje, në Shkodër. Tani është duke përfunduar edhe shkollën e lartë me shkëputje nga puna. Ka disa vite që merret me biznese të ndryshme. Ka një lokal me emrin “Albo” në rrugën e Kavajës në Tiranë që frekuentohet në masë prej të rinjve, sidomos atyre të dashuruar me sportet.

Aleksandër Zefi i është përkushtuar me shpirt punës në fushën e kulturës dhe traditave me dëshirën për të qenë pjesë e elitave intelektuale shqiptare. Atij i pëlqen gazetaria dhe boton shpesh artikuj për figura personalitetesh në revistën “Krahu i shqiponjës”. Është drejtor në bordin e fondacionit “Shenjtorja Nënë Tereza”. Është angazhuar si përkthyes dhe këshilltar i jashtëm në organizatën ndërkombëtare Diplomatic Mission Peace and Prosperity, gjë që i plotëson dëshirën për të udhëtuar dhe për të njohur botën në rolin e misionarit të Paqes. Pra, ai parapëlqen udhëtimet e largëta nëpër vendet e pazhvilluara, sidomos udhëtimet turistiko-sportive të nxitura nga shpirti i aventurës dhe i humorit të mirë.

Ai është dhe koleksionist relikesh e sendesh të rralla, veçanërisht i orëve. E zgjedhura e tij është ora e markës Rolex.

Aleksandër Zefit i pëlqejnë shumë argëtimet. Një pjesë të mirë të kohës së lirë e kalon duke luajtur shah, merret me sportin e mundjes dhe të kthimit të krahut. Është besimtar i mirë i fesë katolike, gjë që nuk e lë pa përmendur në bisedat me miqtë edhe për faktin se është nip i Dom Mikel Gjergjit, njërit nga priftërinjtë atdhetarë të Shkodrës të pushkatuar nga regjimi komunist. Dihet se priftërinjtë katolikë, duke filluar me Pal Engjëllin, autor i formulës së pagëzimit të shkruar për herë të parë në gjuhën shqipe dhe me shkrimin shqip, që njihet edhe si fillesa e shkrimit të shqipes moderne, Bardhin, Budin, Bogdanin, Fishtën e sa e sa të tjerë, kanë qenë e vazhdojnë të jenë atdhetarë të mëdhenj e mbrojtës të flaktë të çështjes kombëtare shqiptare.

Aleksandër Zefi krenohet edhe me një fakt tjetër: është nip i luftëtarit atdhetar Zek Jakini, i cili është shquar në luftërat kundër turqve. Madje për bëmat e tij rapsodi popullor i ka thurur këngë. Dhe dihet sa të dëshiruar janë heronjtë e trevave të Shqipërisë Veriore për të hyrë në këngët e popullit. Pikërisht është edhe kjo një nga arsyet që ata u përkushtohen bëmave heroike. Dhe është me fat heroi që hyn në këngë.

I urojmë edhe Aleksandër Zefit bëmat e aventurat e një heroi, si i pari i tij Zek Jakini, me dëshirën që të hyjë edhe ai në këngët popullore shkodrane.

Elim Xanxari

KANGA E ZEK JAKINIT
Krisi pushka, gjimoj deti,
N’at Trush u ba gazepi,
Zek Jakimi fort gajreti.
Fort gajreti, sa mirë qiti,
Nji ma t’mirin dekë e qiti,
Probatinin s’e koriti.
S’e koriti se s’a msue,
Tre malcorë qi janë mendue
Për haber kanë nisë nji grue,
Vali Pashës me ja çue.
Vali Pasha thrret javerin,
Me buri e mblodh asqerin.
Kurt beg Çelën çoj e thirri:
– Gjallë a dekë ta due kët njeri!
Kurt beg Çelës ju qesh mustaku:
– Hiqu, Pashë, atij meraku,
Të dy lidhë t’i bijë për lakut,
Tuj ngrehë zhag atij sokakut.
Zek Takini ish kenë idhnaku,
Për nji dekik i luejti gjaku:
“Faqja e zezë e të gjithë bajrakut,
Vravi mikun në derë t’konakut.”
Larg ja njofti Zeka çehrën.
E qet jashtë e mshilka derën,
Sa nji grue s’e paska nderën,
Pushkën qet largon poterën.
Ç’po rrin Zeka në divanhane:
-Aman beg, pashë jetën tandë!
Be kam ba, qi s’shkoj në hapsane,
Për pa u ngrehë zhag për kambë!
– Hiqu, Zekë, atij merakut,
Të dyve lidhë ju çoj për lakut,
Tuj ngreh zhag atij sokakut.
Zek Tahiri ish kenë idhnaku,
Rrokë martinën prej kon’akut;
E çoftë zoti ku qoftë haku!
Ç’po kuvendin Kola e Zeka:
– Me gajret po na vjen deka,
Me ba luftë si Tuçi e Leka,
Me u kndue n’kangë si a kndue Gjin Leka.
Krisi pushka e batare,
Pushke e gjatë e kapsulaçe,
Karajfile e ltinë maxharre,
Qet martinë e alltipatllare.
Çka po i thotë Zeka-Kurt Begit:
– Sot m’ke ardh’ në fush t’ bejlagut,
Fal me shëndet Ndoc Kolë Mazrrekut!
Kurt Beg Çela djalë i ri,
Na i ka mbledhë do suvari,
Të tanë trima e dai.
Harap Sokoli djalë zotni,
T’ejten mbrama n’iqindi,
U thirr salla në tri xhami:
– Ka vra Zeka dy zotni.

 

Sportist, politikan dhe misionar i paqes

(Shënime për sportistin Muharrem Berisha, Drejtor i Politikave i organizatës ndërkombëtare Diplomatic Mission Peace and Prosperity)
Ka qenë Kampion i Ballkanit në peshëngritje, shumë herë kampion dhe fitues i disa Medaljeve të Arta në vend e në evenimente ndërkombëtare; një politikan i suksesshëm, por edhe një njeri që jep kontributin e tij për paqe, ky është i madhi Muharrem Berisha

Të jesh kampion si Muharrem Berisha
Muharrem Berisha, Kampioni i Ballkanit në peshëngritje, e ka nisur karrierën e tij si një amator, por shumë shpejt, që në moshën 15-vjecare, ai shpallet për herë të parë kampion dhe që nga ajo kohë, pra, në vitin 1979, ai bëhet kampion absolut në vend, por vite më vonë edhe në Ballkan. Por Muharrem Berisha nuk shkëlqen vetëm në sport. Mbas viteve 1990, pasi ka shkuar jashtë vendit, ai kthehet në atdhe dhe e thërrasin së pari tek forca politike e Ballit Kombëtar. Më vonë, pasi nuk e gjen veten aty, ai kalon tek Lëvizja Socialist për Integrim (LSI), ku dhe vazhdon karrierën politike me shumë sukses. Gjithashtu, Muharrem Berisha jep kontributin e tij edhe për paqen.

Sporti i peshëngritjes
Fillimet në karrierën e peshëngritjes kanë qenë krejt rastësore për Muharrem Berishën, por që më pas kanë marrë rrugën e suksesit duke e renditur atë ndër të artët e peshëngritësve të Shqipërisë me disa Medalje të Arta dhe është shpallur edhe Kampioni i Ballkanit. Por edhe pse është një ndër më të mirët, ai nuk është aspak një ndër ata që i shikon të tjerët nga lart. Përkundrazi është i thjeshtë, i komunikueshëm dhe i vëmendshëm kur bisedon me dikë. Madje lidhur me thjeshtësinë, ai shprehet: “Dikur më thoshin je një sportist i madh. Midis këtyre të mëdhenjve të sotëm, më duket vetja i vogël”.
Dhe kjo flet shumë për Kampionin e Ballkanit në peshëngritje. Ai e pëlqen të bukurën dhe e do humorin. Është i apasionuar mbas udhëtimit, leximit dhe shumë hobi të tjera. Kampioni në peshëngritje, Muharrem Berisha, është një ndër ato figura që e nderon jo vetëm sportin shqiptar, por të gjithë kombin shqiptar duke i bërë shqiptarët të ndjehen krenarë me emrin e tij. Trajneri i tij ka qenë Ferid Berberi, një tjetër kampion në këtë sport, i cili është shprehur se është një nga më të mirët që ai ka përgatitur.

Sporti i peshëngritjes i lënë pas dorë
Të bisedosh me Muharrem Berishën, nuk është fare e vështirë, përkundrazi ai është i hapur, të jep mendime konkrete, sidomos për sportin, por pse jo edhe për politikën e shumë fusha të tjera ku ai analizon, por edhe të jep mendime filozofike apo të shqipton edhe sentenca nga autorë të ndryshëm apo thënie të vetat. Gjatë bisedës me të, së pari folëm për sportin. Dhe ai të tregon se sporti i peshëngritjes është i vetmi që ka sjellë në Shqipëri më shumë Medalje të Arta, por është po ashtu edhe sporti që më së shumti ka mungesën e vëmendjes nga shteti. “Ndaj për këtë duhet të verë dorë shteti”, thotë Berisha dhe më tej shton se ky lloj sporti e ka bërë Shqipërinë të njohur në ato vite kur Shqipëria ishte e izoluar dhe nuk njihej pothuaj fare nëpër botë.
“Kur na pyesnin jashtë se nga ishim e ngatërronin Shqipërinë me shtete të tjerë. Askush nuk e dinte nga binte ajo. Ishim ne, sportistët që e bëmë të njohur atdheun tonë Shqipërinë nëpër botë shumë më tepër se diplomatët e saj”, kujton jo pa keqardhje Muharrem Berisha kohët e viteve të diktaturës kur dilnin jashtë nëpër olimpiada apo kampionate.
Pyetjes për kolegët e vet të cilët arrijnë rrezultate të larta, ai i përgjigjet se është shumë krenar kurse për rastet kur kolegët e tij më të rinj janë shpallur si përdorues të lëndëve të ndaluara për në gara, ai të thotë se edhe këtu shteti duhet të verë dorë. Pra, duhet më shumë asistencë nga ana e shtetit për të njohur në thellësi problematikat e sportit.
“Në vendin tonë ashtu si edhe në shtetet e tjera, duhet të merren masa ndaj atyre që bëjnë këto shkelje”, – thekson Muharrem Berisha, ndërsa shton se edhe trajnerët të cilët janë sot, lenë shumë për të dëshiruar.

Hyrja në politikë
Nuk është sportisti i parë që i ka hyrë politikës. Në vitin 1997, kur është kthyer nga jashtë vendit, “stacioni” i parë ka qenë ai i politikës. Dhe përherë ka pasur suksesin të siguruar dhe kjo falë punës së tij të përkushtuar që e karakterizon përherë dhe në çdo gjë. “Suksesi im nuk është në bazë të famës që kam, por në bazë të punës dhe përkushtimit tim”, – thotë ai kur nis e tregon për karrierën e tij në politikë.
Së pari ka qenë me Ballin Kombëtar i frymëzuar nga figura të tilla historike kombëtare si Mid’hat Frashëri dhe edhe nga “Dekalogu”, pra “10 Pikat”, e programit të kësaj force politike, të cilat i kanë pëlqyer shumë dhe e ka ndjerë se kjo forcë politike është për të, por ai pohon se kjo forcë politike ishte shumë e mbyllur:
“Kur shkova atje për herë të parë, më pyesnin se cila ishte lidhja ime me këtë forcë politike dhe kjo nuk më pëlqente për arsye se këtë pyetje e bënin edhe drejtuesit e partisë komuniste gjatë kohës kur konkurroja në sport. Pra, sipas mendimit tim, një forcë politike duhet të jetë e hapur”…
Disa vite më pas, po për këto cilësi, ai kaloi tek Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI). Dhe shton se tek kjo forcë politike ai ka gjetur atë që iu mungon të gjitha forcave politike shqiptare, sepse sipas tij kjo forcë është e hapur dhe nuk bën dallime:
“Në LSI mund të integrohet kushdo pavarësisht se nga cila forcë politike vjen, mjafton që të japë kontributin e vet në proceset demokratike dhe për integrimin e vendit në BE”.
Po ashtu, ai i ka të qarta edhe vizionet për sa i përket çështjeve kombëtare, të cilat e shqetësojnë vendin e tij. Ai të thotë se Çamëria, Kosova dhe të gjitha trojet e tjera shqiptare do të jenë brenda një vije të vetme kufitare dhe kjo do të bëhet pa luftë, por me integrimin e vendit në BE.
Ndërsa lidhur me kreun e LSI, Ilir Meta, ai të thotë se Meta është një politikan që po i jep Shqipërisë më shumë se të gjitha forcat e tjera politike së bashku. Lidhur me këtë ai të tregon se idetë e Ilir Metës për Shqipërinë dhe çështjet si Çamëria apo integrimin e Shqipërisë, e kanë pranuar edhe politikanët e huaj. Kështu ai tregon: “Kam qenë në Greqi kur kam parë një intervistë të Papandreut dhe gjatë intervistës, atë e kanë pyetur se përse ai e ka takuar Ilir Metën dhe ai u është përgjigjur se Ilir Meta është një politikan me vizion dhe ashtu si ne kërkojmë Greqinë e Madhe edhe ai kërkon Shqipërinë e Madhe. Me këtë që tregon Muharrem Berisha të jep shumë mesazhe si për politikanët tanë ashtu edhe për ata të huaj, të cilët mundohen të shprehin antivlera ndaj shtetit shqiptar dhe personaliteteve tanë.
Ai nuk pretendon për karrierë në politikë, por kërkon më të mirën për vendin e tij, Shqipërinë, integrimin në Europë, vlerëson se forca politike ku ai bën pjesë, pra LSI, është alternativa më e mirë dhe më optimalja për vendin dhe dëshiron që miqtë dhe shokët e vet t’i shohë në majat e suksesit. Nuk lakmon për karrierë politike, është një familjar i përkushtuar, energjik në jetën e përditshme, jep mendime dhe analizon me argumente si në politikë ashtu edhe sa i përket botës së sportit dhe atij të peshëngritjes në veçanti.
Ai është i përkushtuar edhe si misionar për paqen duke dhënë kontributin e vet si pjesë e “Diplomatic Mision Peace and Presperity”, zyrës diplomatike me qendër në Tiranë, ideuar nga ish diplomati i njohur amerikan Richard Holbrooke, e cila drejtohet nga shkrimtari dhe publicisti Dr. Shefki Hysa.

Familjes i jam borxhli
Krahas jetës sportive dhe asaj politike në LSI ku ai është edhe anëtar i Komitetit Drejtues, Kampioni Muharrem Berisha është edhe një familjar i përkushtuar dhe i përgjegjshëm. Në jetën familjare ai është munduar gjithmonë që të jetë një bashkëshort dhe një prind i mirë, por thotë se përsëri e ndjen veten borxhli. “Nuk iu kam kushtuar kohën e duhur familjes, sepse edhe jeta ime ka qenë gjithë kohës me impenjime”, shton më tej Muharrem Berisha, babai i dy vajzave, të cilat e admirojnë dhe janë krenare për babain e tyre.

Po kush është Muharrem Berisha?
Lindur në vitin 1964, në moshën 15-vjeçare Muharrem Berisha shpallet për herë të parë kampion. Kampion absolut kombëtar në Shqipëri në vitet 1982-1992, në peshat 60, 67 dhe 75 kg. “Sportisti më i mirë i vendit”, medalje ari e argjendi në kampionatet evropiane dhe botërore si dhe Kampion i Ballkanit.
Muharrem Berisha kishte një teknikë shumë të lartë si sportist. Që nga viti 1979, ai bëhet kampion absolut në pesë pesha, duke nisur nga ajo 52 kilogram për të përfunduar në peshën 75 kilogram dhe duke thyer 100 rekorde kombëtare. Ai është bërë kampion absolut i pesë peshave. Në vitin 1984, në Spanjë zuri vendin e pestë, duke sjellë për herë të parë në Shqipëri një rezultat të tillë. Në kampionatin ballkanik në Shqipëri në vitin 1987, në peshën deri në 67 kilogram, ai arrin të marrë për herë të parë në historinë e Shqipërisë tri medalje ari. Kishte deklaruar një muaj më parë rezultatin, por qenia e tij në dhjetë rezultatet më të mira të botës për vitin, ishte tjetër sukses. Ka titullin Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar Sporti dhe Nderi i Sportit Shqiptar, por edhe medaljet për merita të shquara në sport, të marra pas lënies së karrierës. Rezultati më i mirë i tij është në vitin 1983, vetëm 19 vjeç, kur Muharrem Berisha ngre 140 kilogram, dy më shumë sesa kampioni i botës së atij viti.

Nderime dhe tituj:
Muharrem Berisha ka merituar gjatë karrierës së vet shumë nderime e tituj si: “Mjeshtër sporti”, “Mjeshtri i merituar i sportit”, “Nderi i kombit shqiptar”, fitues i anketës 10 sportistët më të mirë të Shqipërisë, etj. Në klubin e Dinamos është shpallur për dhjetë vjet rresht sportisti më i mirë. Ka qenë drejtues i ekipit të peshëngritjes së Dinamos dhe ekipit kombëtar për një periudhë të shkurtër.

Gazetare
Ylldije Sulka

Një libër për Paqen është një libër për Zotin

(Shënime për librin “Personalitete – Misionarë të Paqes” të publicistit Paulin Rranzi)

Duke lexuar librin e publicistit Paulin Rranzi, Personalitete – Misionarë të Paqes, m’u kujtua fjala e presidentit John Kennedy: “Në qoftë se njerëzimi nuk e zhduk luftën, do ta zhduk lufta njerëzimin”. Ky paralajmërim profetik i këtij misionari të madh të paqes na bën ta lexojmë sa me nderim aq dhe me kureshtje çdo libër, artikull ose vepër letrare që i kushtohet paqesm aspirates shumëshekullore të njeriut në çdo vend të botës.
Autori i këtij libri e ka patur të qartë idenë se ekzistenca dhe zhvillimi i njerëzimit nuk mund të kuptohen pa mirëkuptimin e marrëveshjen midis pjesëtarëve të një familjeje, të një grupi shoqëror dhe në veçanti midis kombeve e shteteve. Ideja e paqes është e pashkëputur nga koncepti ontologjik i lirisë. Autori ka arritur në përfundimin se nuk mund të ketë paqe të vërtetë mes së drejtës e të padrejtës, mes të shtypurit e shtypësit, mes të pangrënit e të kamurit. Prandaj, në parashtimin e jetës e të veprimtarisë misionare të personaliteteve që paraqiten në këtë libër, autori thekson vlerat reale të tyre si njerëz të cilët në thelb të veprimtarisë e të krijimtarisë kanë idealin e paqes e të lirisë, të begatisë e harmonisë shoqërore.
Është e vërtetë që termi “lufta për paqe” mund të quhet oksimor por mjetet e mënyrat me të cilat luftohet kanë përcaktuar dhe shkallën e humanizmit dhe të racionalitetit me të cilën synohet realizimi i idealit të paqes.
Libri hapet me shkrimin “Njeriu i dashuruar me Paqen (Gandhi i Ballkanit – Ibrahim Rugova)” që zbërthen tiparet e botëkuptimin e udhëheqësit të Kosovës nëpërmjet takimit e intervistës me shkrimtarin e gazetarin Shefki Hysa. Ibrahim Rugova, që në hapat e parë të veprimtarisë së tij politike u përpoq që në rrugë paqësore të zgjidhte problemin e madh të ekzistencës së popullit të vet. Edhe pse përballë një politike të një shteti shovinisto-komunisto-fashist, ai qëndroi me konsekuencë, pa u lëkundur nga vorbullat e dukshme e të padukshme të politikës e diplomacies së rrënjosur tradicionalisht me kahje antishqiptare. Ai ka qënë ndjekës i paradigmës së filozofit të madh të lashtësisë, Sokratit: “Paqja me tjetrin rrjedh vetëm nga paqja e brendshme, dmth. nga mungesa e impulsive të dhunshme e prirjeve agresive të individit ose të një kombi.”
Nga një këndvështrim tjetër është analizuar personaliteti politik e letrar i Pjetër Arbnorit, i cili edhe pse vuajti gati 30 vjet kalvarin nëpër burgjet e diktaturës, mbajti në vete mirësinë dhe dashurinë për paqen e frymën demokratike e humane edhe kur u zgjodh e punoi në krye të shtetit shqiptar.
Figura e shkrimtarit Bilal Xhaferri, që përshkon si një pe i artë faqet e këtij libri, është ajo e njeriut që mbajti mbi shpinë, që nga lindja, goditjet e fatit e të histories sonë. Ai nuk bëri asnjë gabim, asnjë faj, veç në mund të quhen të tilla të qenit punëtor i palodhur, mendimtar i lire, krijues brilant i niveleve më të larta të letërsisë shqipe, militant deri në vdekje për përmbysjen e diktaturës staliniste-enveriste në Shqipëri e për lirimin e Kosovës nga thundra gjakatare serbe. Fryma paqësore e shpirti i lirisë ishin të shkrira në një të vetme, për t’u derdhur si magmë e nxehtë në strukturat solide të vargjeve dhe rrëfimeve në librat e tij.
Çamëria, krahina shqiptare e martirizuar dhe e shkombëtarizuar barbarisht, është në fokus të këtij libri nëpërmjet rrëfimit për disa personalitete që janë objekt i shkrimeve. Por në to nuk hasim kurrfarë fryme hakmarrjeje e urrejtjeje për shkaktarët e etnocidit ndaj popullsisë came. Kërkohet vetëm drejtësi në bazë të akteve e dokumenteve të miratuara botërisht e veçanërisht nga Europa e bashkuar, ku synojmë edhe ne të bëhemi pjesë e saj edhe formalisht. Pra, nuk mund të ketë paqe, thekson autori Paulin Rranzi, pa u vënë në vend drejtësia; nuk mund të ruhet normaliteti e dinjiteti i një kombi, kur vrasësit nderohen dhe u ngrenë përmendore dhe bijtë e tyre ende bëjnë thirrje të hapura për luftë e kasapana gjenocidale.
Shkrimtari Hysen Sinani vëren në parathënien e librit se “aty janë të përfaqësuara të gjitha trevat, nga jugu në Shqipërinë e Mesme e deri në Kosovë”. Kjo shtrirje gjeografike i jep librit përmasa mbarëshqipëtare dhe shpreh të vërtetën e madhe të karakterit paqësor të shqiptarit edhe në kushtet e rrethanat më të rënda ekzistenciale.
Kur mbaron së lexuari librin e Paulin Rranzit, bindesh se vetëm një demokraci e gjallë dhe e rrënjosur në shpirtin e popullit mund të lejojë një pastrim esencial dhe të qetë, pra arritjen e një paqeje, ku lulëzon liria e vërtëte.

Lekë Mandreja
Shkrimtar

Personazhe – Misionarët e parë shqiptarë të Paqes

(Mbresa nga libri “Personalitete – Misionarë të Paqes” i autorit Paulin Rranzi)

Libri “Personalitete – Misionarë të Paqes” i autorit Paulin Rranzi më befasoi shumë. Ishte vërtet e habitshme mënyra sesi ky autor i ri përqas personazhe nga fusha të ndryshme të jetës dhe i bën ata të flasin me të njëjtën gjuhë ndërkombëtare: Me gjuhën e Paqes.
Pasi e mbaron së lexuari librin nuk rri dot pa thënë: Po, këta janë modeli shqiptar i luftëtarëve të Paqes!… Këta janë misionarët e parë shqiptarë për Paqen, si edhe vetë autori Paulin Rranzi, të cilët u shembëllejnë modeleve më të mira të luftëtarëve të Paqes në Botë… Këta janë edhe personazhet e parë të letërsisë bashkëkohore shqiptare dedikuar Paqes botërore.
Ky arsyetim të jep të drejtën të dalësh në përfundimin se më në fund edhe në letërsinë moderne shqiptare fryu era e mesazhierëve të Paqes. Po ringjallet epoka e Skënderbeut, heroit tonë kombëtar, të cilin letërsia perëndimore e vjetër dhe e re e pasqyron në shumë vepra si një luftëtar të madh, shpëtimtar të qytetërimit Evropian, shpëtimtar të Paqes së njerëzimit.
Po kush janë këta personalitete fatlumë që u shndërruan në personazhet e parë shqiptarë kushtuar Paqes?… Nuk do ta teproj po të them se, në mos të gjithë, shumica e tyre, janë të njohurit ose miqtë e mi. Le të filloj me Presidentin Ibrahim Rugova. Dikur ishte një nga shkrimtarët më të mirë të Kosovës, bashkëkohësi im dhe kolegu im. Ai drejtonte Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kosovës dhe unë ndërkohë isha kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Rugova ishte veprimtar i shquar në politikën e Kosovës. Edhe unë nuk mbetesha mbrapa në politikën shqiptare. Por më shumë se politika, me Rugovën më bashkonte krijimtaria letrare, idealet për t’i shërbyer njerëzimit si luftëtarë të penës. Kuptohet se Rugova punoi shumë si politikan deri sa u shndërrua në simbolin e Paqes për Kosovën e Ballkanin, njëlloj si Gandi për Indinë. Dhe është një nder i madh për autorin e ri Paulin Rranzi, i cili e ka trajtuar figurën e Rugovës nën këndvështrimin e misionarit të Paqes.
Pjetër Arbnori, Mandela i Ballkanit, siç e cilëson autori, ishte një nga burrat më të shquar që ka nxjerrë kombi shqiptar në shekullin e XX-të. Në fillim të viteve 90-të ai ishte deputet i Partisë Demokratike, kurse unë deputet i Partisë Socialiste. Ai ishte shkrimtar disident që vinte nga burgu i ish-diktaturës komuniste, kurse unë shkrimtar që në dukje i kisha shërbyer komunizmit. Ishim si të thuash kundërshtarë politikë, megjithatë u miqësuam shumë, sidomos gjatë periudhës së viteve 92-96, kur ai ishte kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë. Në atë periudhë një pjesë e demokratëve silleshin me egërsi me ish-komunistët, njëlloj siç silleshin komunistët e viteve 45 me ish-të pasurit, përfaqësues të ish-klasave të përmbysura.
Pjetër Arbnori përkundrazi sillej miqësisht me mua, më trajtonte si kundërshtar bindjesh politike e jo si armik, siç mundoheshin të bënin disa të tjerë. Një shembull: Mbaj mend se botuesi Shefki Hysa, miku ynë i përbashkët, më kërkoi të bëja një parathënie për librin e një talenti të ri dhe unë nuk ia prisha. Libri u botua me parathënien time dhe u mirëprit shumë nga lexuesit. U pasqyrua edhe në shtyp e në televizion. Atëherë funksiononte TVSH-ja si i vetmi televizion në Shqipëri. Një gazetare e re në një nga emisionet televizive trajtoi vlerat e librit, duke iu përmbajtur gjatë edhe vlerësimeve të mia për autorin në parathënien që shoqëronte botimin. Për këtë veprim gazetarja u pushua nga puna me motivacionin si propaganduese e një figure që i përkiste ish-regjimit komunist.
E gjora gazetare iu ankua botuesit Shefki Hysa dhe ai, i indinjuar me të drejtë, e diskutoi problemin me mikun e tij Pjetër Arbnorin, kryetar i Kryesisë së Kuvendit, institucion nga i cili varej RTSH-ja. Pjetër Arbnori, pasi e dëgjoi mikun e vet Shefki Hysa, tha se Dritëro Agolli me vlerat e tij si shkrimtar, pavarësisht bindjeve të majta si njeri, ishte pasuri kombëtare që nuk meritonte të nëpërkëmbej, përkundrazi duhej mbrojtur e vlerësuar. Ai thirri menjëherë drejtorin e TVSH-së dhe e urdhëroi ta rikthenin në punë gazetaren, madje ajo të bënte edhe një emision të veçantë për figurën e shkrimtarit Dritëro Agolli. Dhe kështu u bë.
Ja kush ishte Pjetër Arbnori, një figurë që me punën e vet e ushqente paqen sociale, nuk e minonte atë siç bënin ca përfaqësues fanatikë të Partisë Demokratike që nxisnin urrejtjen klasore.
Dihet se unë i përkisja vërtet komunizmit, mirëpo nuk isha fanatik i verbër i regjimit komunist, isha pjesë e utopisë së tij, pjesë e asaj ëndrre të bukur, e atyre idealeve që patën komunistët për ta transformuar botën në një parajsë sociale ku të mbizotëronte paqja dhe barazia njerëzore gjë që nuk u realizua kurrë në praktikë. Idealet komuniste u keqpërdorën nga diktatorët komunistë dhe në emër të atyre idealeve u përdhunuan inteligjenca dhe kundërshtarët politikë, u ushtrua gjenocid ndaj një pjese të njerëzimit. Unë isha shkrimtar, nuk u përkisja klaneve shtypëse të ish-diktaturës. Krijimtaria ime është censuruar nga censura komuniste, ndoshta ca më pak, por është censuruar njëlloj si letërsia disidente e Pjetër Arbnorit, e Bilal Xhaferrit dhe e sa e sa shkrimtarëve të tjerë, megjithëse isha dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Unë isha Dritëro Agolli, isha vetvetja, isha pjesë e botës së krijuesve që në shpirt dhe në veprime janë oponentë të të gjitha pushteteve. Nisur nga idealet e mia si shkrimtar, përkundër direktivave të ish-regjimit komunist, kam ndihmuar dhe nxitur talente si shkrimtari Namik Mane, ish-i persekutuar politik, shkrimtari Shefki Hysa (pa përmendur dhe shumë të tjerë), të cilët janë dy nga personazhet më karakteristikë të librit “Personalitete – Misionarë të Paqes” të autorit Paulin Rranzi.
Figura e mikut tim Shefki Hysa i bashkon të gjithë personazhet në këtë libër. Ai është ideatori i gjithë asaj odiseje që përshkruan Paulini, është jo vetëm misionar, por kryemisionari i këtij misioni të formësuar në trajtën e një botimi në shërbim të Paqes. E vlerësoj lart figurën e tij, siç më vlerëson edhe ai. Dritëro Agolli i ka shërbyer Paqes me penën e tij. Dhe nëse një ditë autori do të vendoste që të bëhej edhe një vëllim i dytë i këtij botimi, kam bindjen se do të përfshihej edhe personaliteti im në libër si mesazhier paqeje. Pyesni tregimtarin tim të çmuar Shefki Hysa për këtë dhe kam bindjen se ai do ta vërtetojë hipotezën time. Do ta vërtetojë se si shkrimtar i talentuar i përket racës hyjnore të krijuesve dhe si gjithë hyjnorët e njeh mirë karakterin e miqve të tij. Unë jam një ndër miqtë e tij të deklaruar. Jam Dritëro Agolli. Jam vetvetja. Mund të isha bërë pjesë e Partisë Demokratike, si shumë ish-komunistë. Nuk u bëra. Pranova të mbetem socialist, pjesë e njerëzve më të mirë që priren nga bindjet e majta. Njëlloj si të majtët përparimtarë të të gjithë botës që aspirojnë për paqe sociale. Nuk i tradhtova kurrë bindjet dhe idealet e mia, nuk iu servilosa asnjë pushteti për asnjë lloj përfitimi vetjak, përkundrazi i vura në shërbim të kombit tim, njëlloj si demokratët më të mirë shqiptarë që e kanë kthyer vështrimin drejt qytetërimit evropian.
I tillë jam unë Dritëro Agolli, misionar paqeje, prandaj e lexova me vëmendje librin “Personalitete – Misionarë të Paqes”, prandaj dhe i shkrova me kaq entuziazëm këto radhë për vlerat e tij të rralla. Unë jam Dritëro Agolli, një misionar paqeje ende i pashpallur. Mos e harroni. Dhe respektojini luftëtarët e Paqes për sakrificat e tyre në shërbim të Parajsës së ardhshme botërore.

Dritëro Agolli
Shkrimtar Shqiptar

Paqen nuk mund ta sjellë kushdo

(Mendime për librin me shkrime publicistike “Personalitete misionarë të paqes” të autorit Paulin Rranzi)

Një shoqëri, një klasë politike ose, e thënë më shkoqur, njerëzit e çfarëdolloj shtrese, një popull, i bën më fisnikë, më humanë, më solidarë e më vizionarë, e, mbi të gjitha, më të lumtur, nëse jetojnë në vendin e tyre të ngopur në paqe. Prandaj një personalitet i njohur, Benedikt Spinoza, ka thënë: “Paqja nuk është mungesë e luftës, por është virtyt, një gjendje e caktuar mendore, një prirje për vullnet të mirë, besim, drejtësi.”
Në këtë kuptim mendoj se libra të tillë publicistikë si “Personalitete misionarë të paqes” i Paulin Rranzit jo vetëm janë fort të rëndësishëm për shëndetin dhe ripërtëritjen e shoqërisë dhe të politikës shqiptare dhe duhet të botohen sa më tepër, sepse shpalosin mesazhin kuptimplotë që paqen në një vend nuk mund ta sjellë kushdo, por janë personalitetet e dalë nga populli i këtij vendi që me emrin dhe kontributin e tyre të çmuar në fusha të caktuara të jetës krijojnë hapësira të gjera për paqe, tolerancë dhe mirëkuptim.
Falë një pune të përkushtuar në përmbledhjen me shkrime publicistike në formë portreti, autori ka ndriçuar anë të ndryshme të karakterit të dhjetë personaliteteve shqiptare, të cilat shquhen për kontributin e tyre me vlerë në fusha të caktuara të jetës shoqërore dhe politike në Shqipëri e më gjerë.. Të gjitha shkrimet i përshkon edhe një mesazh tjetër interesant: dashuria e flaktë për Çamërinë dhe Kosovën, e cila e fitoi pavarësinë e saj, por me luftë kundër serbve, në të cilën siç dihet një ndihmesë të jashtëzakonshme dhe NATO-ja, pasi serbët ushtruan një gjenocid të paparë ndaj popullsisë shqiptare. Ndërsa misionarët e paqes e dëshirojnë pavarësinë e Çamërisë të bëhet e vërtetë në sajë të dialogut, mirëkuptimit dhe tolerancës, pra, me një fjalë, në sajë të paqes midis palëve.
Autori i librit për të strukturuar veprën e tij e për të mbledhur një material të bollshëm ka shfrytëzuar, si të thuash, “deri në palcë” si burim kryesor dhe mbresat e pashlyera të shkrimtarit dhe të gazetarit të palodhur me origjinë çame, Shefki Hysa. i cili i ka njohur të gjitha personalitetet e librit dhe ka pasur miqësi me ta. Falë këtij materiali, që lidhet me jetën dhe veprimtarinë e gjithanshme e të llojllojshme të personaliteteve misionarë të paqes, të cilave ua ka vizatuar portretet me mjeshtri e patos publicistik, autori nga ky material ia ka dalë mbanë të qëmtojë mjaft situata, detaje e imtësi shprehëse. Këto mjete artistike nga njëra anë zgjojnë interesin dhe kureshtjen e lexuesit dhe nga ana tjetër ua thellojnë dhe ua bëjnë më të spikatura vizat portreteve të misionarëve të paqes.
Në shkrimin “Njeriu i dashuruar me paqen”, që i kushtohet ish- Presidentit të Kosovës, të ndjerit Ibrahim Rugova, lexuesi do të njihet jo vetëm me një situatë intriguese, me përpjekjet e parreshtura, zgjuarsinë dhe shkathtësinë e gazetarit Shefki Hysa për ta intervistuar Gandin e Ballkanit në verën e vitit 1991, por dhe me bisedën e ngrohtë politike midis të dyve, nga e cila zbulohen pikëpamjet e Rugovës për pavarësinë e Kosovës, shpirti i tij fisnik e paqedashës, thjeshtësia, modestia sa arrin ta bëjë mik gazetarin çam e më pas ta njohë me një diplomat të rrallë të asaj kohe, ambasadorin Riçard Hollbruk.
Edhe në shkrimin “Disidenti që mishëroi kundërshtarët politikë” , kushtuar të ndjerit Pjetër Arbnori, ose siç u quajt ndryshe nga të gjithë Mandela i Ballkanit, bie në sy se materiali jetësor që shfrytëzoi autori për të plazmuar figurën e këtij personaliteti të shquar është fryt i mbresave dhe kujtimeve të shkrimtarit dhe gazetarit të njohur nga Çamëria, Shefki Hysa. Kur i ndjeri Arbnori u bë Kryetar i Kuvendit pati marrëdhënie të ngushta me Shefkiun, i cili në atë kohë punonte në administratën e Kuvendit. Ata u bënë miq dhe bashkëpunuan në fushën e botimeve. Falë këtij bashkëpunimi, Pjetër Arbnori botoi disa libra, që u pritën mirë nga lexuesit. Ndërkohë me ndihmën e tij u sollën në atdhe eshtrat e të madhit shkrimtar çam, Bilal Xhaferrit.
Në libër figura e Arbnorit vizatohet me dashuri si figura e një njeriu, artisti, me botë të pasur shpirtërore, fisnik, i afrueshëm dhe i komunikueshëm me njerëzit e thjeshtë, babaxhan, shakaxhi dhe dashamirës. Po më mirë le t’ia lëmë fjalën autorit duke shkëputur një pasazh të shkurtër nga libri që lexuesi të kuptojë më mirë se kush ka qenë Pjetër Arbnori: “Shkrimtari Pjetër Arbnori ndihej i mrekulluar si fëmijë naiv para librit. E fërkonte me duar dhe u përlot. Ishte botimi i tij i parë dhe nuk ishte në moshë të re, por 57 vjeçar. Vetëkuptohej që do të ndihej i emocionuar me gjithë ato që kishte kaluar në jetë. Ai ishte aq njerëzor në atë sjellje, sa me atë mallëngjim shpërfilli edhe pozitën e vet si politikan i lartë..Mund të ishte mbajtur edhe i rëndë me ndonjë maskë burokrati në fytyrë, por jo. Ai ishte njeri. Njeri i madh.”
Pas këtyre dy shkrimeve fort mbresëlënës në libër vijojnë dy shkrime të tjera, që portretizojnë dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë me origjinë çame. Në shkrimin e parë bëhet fjalë për deputetin Shpëtim Idrizi, i cili vetëm për të lobuar për çështjen çame shkëputet nga grupi i deputetëve socialistë, prandaj dhe autori e titullon këtë shkrim “Lideri i Çamërisë- ëndërr dhe realitet”. Figura e këtij politikani jepet me cilësitë dhe virtytet më të qenësishme si njeri i dhënë me mish e me shpirt pas vendlindjes, vizionar për të ardhmen e saj dhe këmbëngulës e i përkushtuar për zgjidhjen e kësaj çështjeje kaq të madhe deri në instancat më të larta ndërkombëtare.
Ndërsa në shkrimin e dytë në qendër të optikës publicistike të autorit është deputeti tjetër i Kuvendit, zoti Tahir Muhedini. Motoja e tij shndërrohet në titullin e këtij shkrimi “Amaneti ynë-Çamëria”. Edhe figura e këtij deputeti jepet në libër me tiparet karakteristike të atdhetarit, të njeriut të mirë e paqësor, që mbi interesat e vendlindjes nuk vë gjë tjetër. Autori nuk harron të përmendë se deputeti Muhedini rrjedh nga një familje çame e masakruar nga banditët grekë, tregon për jetën e trazuar të kësaj familjeje kur ajo vendoset në Shqipëri, prandaj për hir të amanetit të Çamërisë të dy deputetët i shkrijnë të dyja partitë e tyre që kanë formuar në një të vetme, për të lobuar e u përpjekur së bashku që çështja e vendlindjes së tyre të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Në shkrimin “Letërsia dhe Njeriu” autori i librit vizaton portretin artistik të një personaliteti të letrave shqipe, Hysen Sinanit, përshkruan ecejaket ne emigracion në Greqi të këtij njeriu me botë të pasur e paqësore shpirtërore, megjithëse i vuajtur e autodidakt, pastaj ia nënshtron krijimtarinë e zotit Sinani një analize të shpejtë letrare duke nisur që nga romani i tij i parë “Gjergji”, që pa dritën e botimit para ardhjes së demokracisë dhe nxori në pah disa probleme ideologjike për atë kohë e deri te përkthimet e shumta të këtij autori nga gjuhë të ndryshme, të cilat, gjithsesi, kanë në qendër të tyre mesazhin e paqes.
Me patos respekt të veçantë është shkruar në libër për një figurë interesante me origjinë çame, për Ibrahim Daut Hoxhën, për atdhetarizmin e tij lidhur me Çamërinë, dhe për kontributin e veçantë të këtij personaliteti në shumë fusha për vendlindjen e tij. Shkrimi mund të themi se është një biografi e plotë e këtij njeriu pak të njohur për lexuesin e sotëm, por me shumë bëma për Çamërinë e tij të dashur, duke nisur që nga ngritja lart e figurave të ndritura të Çamërisë, në thurjen e poezive për të, e deri te punimet historike lidhur me këtë trevë shqiptare dhe mbledhjen e folklorit të pasur të kësaj treve. Ai për këto çështje ka shkruar një sërë veprash, të cilat pa dyshim do të mbeten në arkivin e veprave të ndryshme kushtuar Çamërisë.
Një anë tjetër e jetës së Ibrahim Daut Hoxhës jepet nga autori me vërtetësi historike, kuptohet i ndihmuar edhe nga miku i tij i ngushtë, shkrimtari dhe gazetari Shefki Hysa, lidhur me vështirësitë e pengesat e shumta që ishte i detyruar t’i kapërcente Ibrahimi e që ia nxirrte përpara lufta e klasave. Por ai luftëtar i paepur ishte trim, guximtar, mjaft i zgjuar e largpamës, prandaj diti t’i përballonte dhe t’i hidhte matanë ato.
Te shkrimi “Arti i simbolikës së paqes” flitet për jetën dhe veprimtarinë e një skulptori të dëgjuar çam, Idriz Balanit, i cili sot jeton dhe vazhdon të krijojë në Durrës. E veçanta e këtij skulptori dhe e artit që nxjerr nga duart është se veprat e tij rrezatojnë gjithnjë mesazhe paqeje, mirësie dhe tolerance. Me që është rasti edhe unë që po hedh këto rreshta e kam mik Idrizin dhe bashkë kemi qenë në një vizitë në Kosovë. Është e vërtetë ajo që tregon libri që Idrizi dashurinë për Çamërinë nuk e shkëput dot nga dashuria për Kosovën. Këtë e kap parë me sytë e mi dhe për më tepër e vërtetojnë plot vepra skulpturale që ai ka krijuar në Kosovë krahas veprave për Çamërinë, portretin e të famshmit bir të saj, Bilal Xhaferrit etj. Prandaj “një intelektual si Idriz Balani di jo vetëm të krijojë, por edhe të miradministrojë artin e vet, si një vlerë unikale në shërbim të qytetërimit. Ai e di mirë që simbolika e artit është shprehje e botës paqësore të artistit dhe të dish të administrosh një botë artistike, do të thotë të jesh personalitet – misionar i paqes.” .
Tek lexon shkrimin e përmbledhur në libër “Poeti i sakrifikuar për Çamërinë”, kushtuar një artisti të vërtetë, poetit Namik Mane, s’ke si mos të ndjesh emocione mpleksur me një dhimbje të thellë për këtë njeri të thjeshtë, këtë atdhetar të shkallës më të lartë, zemërmadh e me një botë shpirtërore të rrallë, i cili, si pinjoll i një familjeje mjaft të njohur në Çamëri, nuk mund të mos e kishte zemrën pus nga të buronte dashuria dhe dhimbja për fatin e mbrapshtë të asaj që poeti e quan: “Çamëri, Çamëri,/ Pjergull me lotët e mi.” Vargjet e Namik Manes burojnë pikërisht nga kjo zemër-pus, sepse ai nuk mund ta kuptojë veten pa vendlindjen e tij, për të cilën, thotë poeti: “Më djeg gjoksi prej kaq vitesh,/Nga një mall që s’ka përmasa,/Dhe në u thafshin oqeanet,/ S’e nxëjnë dot këtë mallin tim,/Vetëm ti mund ta mbash brenda,/Në gjoksin tënd, moj Çamëri!”.
Autori i librit shpalos me ngjyra të ashpra e të vrazhda tablonë e jetës së këtij njeriu me shpirt paqësor e fisnik, vuajtjet e mundimet që hoqi ai dhe familja e tij nga persekutimi komunist. Është e tepërt të shtoj se jeta e tij nëse bëjmë fjalë për një paralelizëm figurativ i ngjan së tepërmi fatit të vendlindjes së tij, Duke qenë shok e mik i ngushtë i legjendës së Çamërisë, i poetit Bilal Xhaferri, Namik Mane në çastet më të vështira e kujton mikun e vet të paharruar, siç kujton dhe miqtë e tij të tjerë, të cilët i ndenjën pranë dhe e ndihmuan gjithnjë. Pas Bilalit, ai është poeti që ka sakrifikuar më shumë për atdheun dhe për vendlindjen e tij të dashur Çamërinë, prandaj kontributi i tij do të mbetet i paharruar
Në libër është përfshirë edhe një shkrim i titulluar “Mesazh drite dhe paqeje”, në të cilin bëhet fjalë për krijimtarinë dhe mesazhet që rrezaton ajo, të shkrimtarit dhe studiuesit Sazan Goliku, pseudonim i autorit të njohur shqiptar Pandeli Koçi. Nëpërmjet një analize të hollësishme e serioze nga ana profesionale, autori nxjerr në pah veçoritë karakteristike të poezisë së këtij krijuesi, e cila dallohet për koncizitetin e saj, për tematikën e larmishme që përcjell, për latimin e vargut e mbi të gjitha për idetë humane dhe fisnike që janë mbruajtur në të. Një vend i veçantë në shkrim i kushtohet punës së palodhur të Sazan Golikut për studimin e letërsisë që botohet në Kosovë, qoftë kjo për të rritur apo për fëmijë. Madje Sazan Goliku në këtë drejtim mbetet nismëtari i studimit të kësaj letërsie me një prodhimtari të bollshme, të larmishme dhe të lakmueshme.
Librin e mbyll shkrimi “Shkrimtari dhe origjina” ku shpaloset panorama e jetës dhe e veprimtarisë së gjerë e të shumanshme të njërit prej misionarëve më të dalluar të paqes, shkrimtarit dhe publicistit të njohur me origjinë çame Shefki Hysa. Ky shkrim i ngjeshur me fakte e argumente kur e lexon të lë mbresë për punën e palodhur dhe të përkushtuar që ka kryer me devocion e përkushtueshmëri ky personalitet në dobi të çështjes çame. Pasi përshkruhet jeta e trazuar e Shefkiut dhe e familjes së tij, persekutimi klasor dhe përpjekjet e vazhdueshme të këtij djaloshi me karakter të fortë që të formohet dita-ditës si intelektual dhe personalitet, në shkrim më pas kalohet në disa veçori të krijimtarisë së tij të bollshme dhe në shumë fusha deri te përkthimet dhe redaktimet e shumta. Falë njohjeve dhe miqve të shumtë, Shefkiu në sajë të këmbënguljes së vet arrin të kryejë disa veprimtari mjaft të rëndësishme për çështjen çame si prurjen e eshtrave të poetit të madh Bilal Xhaferri në atdhe, vazhdimin e botimit të revistës së njohur “Krahu i shqiponjës”, drejtimin e shoqatës kulturore “Bilal Xhaferri” etj. Një risi ishte dhe krijimi i organizatës ndërkombëtare “Diplomatic Mission Peace and Prosperity”, e konceptuar si një mision paqeje, që lobon për Paqe e Prosperitet në Ballkan dhe në botë, sipas modelit më të mirë që ofron demokracia amerikane për vendet në zhvillim. Ja ç’thuhet më tej në libër për këtë personalitet: “Ishte pikërisht kjo sipërmarrje e re, që do ta fokusonte më shumë shkrimtarin Shefki Hysa në punën e misionarit të palodhur për Paqe dhe Prosperitet. Si misionar i Paqes, ai zuri të krijonte edhe shumë lidhje të reja me botën intelektuale, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në sajë të punës së vazhdueshme e plot suksese emri dhe biografia e tij janë përfshirë në shumë enciklopedi prestigjoze të botës”.
Ky libër i autorit Paulin Rranzi që përmban mjaft informacion interesant dhe jo fort të njohur për lexuesin shqiptar me siguri do të shfletohet me kureshtje, sepse është në dobi të paqes dhe i bën jehonë mesazheve humane e mirëkuptuese, tolerancës, bashkëpunimit etj. për të cilat sot të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare kanë nevojë më tepër se kurrë.

Sokol Jakova
Shkrimtar

Modeli i intelektualit të së ardhmes

Ambasadori Lekë Mandreja

Lekë Ndue Mandreja u lind në Rrëshen më 31 gusht1959. Rrjedh nga një familje me tradita atdhetare. Fëmijërinë e kaloi në vendlindje, u rrit i ushqyer me traditat më të mira të trevës së Mirditës së panënshtruar në shekuj nga të gjitha llojet e pushtuesve. Shkollën fillore, tetëvjeçare dhe gjimnazin i kreu në qytetin e lindjes. Babanë e tij, Ndue Mandreja, i arsimuar për artin ushtarak, strukturat e diktaturës komuniste e larguan nga detyra në vitin 1955 për arsye politike si stërnip i ndihmësit të parë të mbretit Ahmet Zogu dhe prej asaj periudhe ai punoi në miniera të ndryshme të vendit.
Leka, pasi mbaroi stazhin e punës, 12 muaj punëtor në minierën e Spaçit, në vitin 1978 filloi studimet e larta në Institutin Bujqësor të Kamzës, në degën Inxhinieri Pyjesh. Pas mbarimit të universitetit u emërua si specialist në ndërmarrjen pyjore të Mirditës.
Në vitin 1985 ai kreu studimet pasuniversitare ne fushën e pyjeve.
Në vitin 1987 kreu studimet pasuniversitare në fushën e dekorit të qyteteve, për njohjen dhe rritjen e luleve dekorative.
Në vitin 1990 u emërua drejtor i Ndërmarrjes Komunale Banesa të Mirditës.
Në vitin 1993 u zgjodh funksionar i Partisë së Bashkimit Liberal Demokrat në Mirditë.
Në vitin 1995 emigroi në Itali me dëshirën për pasur një jetesë më të mirë.
Në vitin 1996, Lekë Mandreja u martua dhe me bashkëshorten e tij tani ka një djalë, që u lind më 1 mars 1997, në vitin e dytë të martesës. Bashkëshortja e tij është me arsim të lartë, e diplomuar në degën ekonomi-mercologi- financë- bankë dhe ka kryer disa kurse të ndryshme pasuniversitare.
Në vitin 2007 Lekë Mandreja u kthye nga emigrimi dhe në prill të vitit 2008 u emërua drejtor i Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, në Rrëshen, deri në qershor të vitit 2010.
Aktualisht është i angazhuar në biznes me dëshirën për të forcuar ekonominë e familjes së vet dhe si atdhetar për të ndihmuar sadopak ekonominë shqiptare.
Lekë Mandreja është jo vetëm atdhetar i zjarrtë, por edhe një intelektual i përkushtuar ndaj proceseve demokratike dhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
Ai shkruan dhe boton artikuj të ndryshëm me problematikë shoqërore si dhe shkrime kritike për artin dhe letërsinë.
Në vitin 2011, Leka hyri në radhët e bashkëpunëtorëve më të mirë të revistës prestigjioze amerikano-shqiptare “Krahu i shqiponjës”. Tani është një ndër gazetarët më me përvojë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ai është një ndër veprimtarët më të përkushtuar të Komunitetit Kulturor të Çamërisë.
Nga natyra Lekë Mandreja është misionar idealist i përkushtuar ndaj paqes botërore dhe përpiqet me gjithë shpirt për të ndikuar sadopak për ndërtimin e një shteti ligjor në Shqipëri sipas standardeve të demokracisë amerikane. Leka është dhe bamirës. Mundohet të ndihmojë shtresat shoqërore në nevojë.
Si intelektual në kërkim të përsosmërisë njerëzore dhe për vet natyrën e tij prej misionari bamirës, në vitin 2012 Lekë Mandreja u bashkua me stafin e organizatës ndërkombëtare lobuese Diplomatic Mission Peace and Prosperity për të kontribuar edhe më shumë përkrah luftëtarëve të Paqes. Tani është një ndër veprimtarët më të vendosur për mbrojtjen e të drejtave civile të njerëzve kudo në botë.
Lekë Mandreja është zëvendëskryetar dhe Ambasador i Vullneti të Mirë i këtij misioni që lobon për Paqe në Ballkan e në Botë, duke u ofruar vendeve në zhvillim modelin e demokracisë amerikane si modelin më të mirë për paqe e prosperitet.

Endri Hysa

Kosova – Shembull i Paqes në Ballkan

Në ditën e pavarësisë së Republikës së Kosovës

17 shkurt 2012. Republika e Kosovës festoi 4 vjetorin e Pavarësisë. Festoi në Prishtinë, festoi dhe në Tiranë. Ambasada e Kosovës në Tiranë organizoi festimet në mjediset e Hotel Sheraton. Kosova festoi në zemër të truallit amë, në zemër të Shqipërisë. Morën pjesë politikanët e zyrtarët më të lartë të Kosovës e të Shqipërisë. Morën pjesë dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik.
Katër vjet Pavarësi nga Serbia. Kosova në këto katër vjet i tregoi botës sesi mund të bëhet dhe të ruhet Paqja në një Rajon problematik si Ballkani.
E shkëputur forcërisht nga trualli amë që në vitin 1913,Kosova, në njëqind vjet nën sundimin serb, përsosi durimin e urtësinë për hir të Paqes, element i gjenit të njeriut shqiptar, dhe, e udhëhequr nga prijës legjendarë si i mençmi Presidenti Ibrahim Rugova, Gandhi i Ballkanit, i rezistoi asimilimit, ruajti gjakun e saj shqiptar.
Kosova me vendosmërinë e luftëtarëve-heronj si Adem Jashari, përballoi gjenocidin serb. Kosova me mençurinë e diplomacinë e udhëheqësve të rinj si Hashim Thaçi e Hajredin Kuçi fitoi simpatinë e SHBA-ve, të OKB dhe të opinionit botëror dhe e bëri fakt Pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008. Luftoi dhe fitoi nën vëzhgimin e opinionit ndërkombëtar, pa i cënuar asnjëherë parimet e Paqes. Kosova paqësore sfidoi qetësisht Serbinë agresore dhe fitoi. Fitoi të drejtën për t’u vetëqeverisur, fitoi Pavarësinë si njëqind vjet më parë…
17 shkurt 2012. Kosova – Shembull I paqes në Ballkan festoi me miqtë e vet në zemër të Shqipërisë, truallit amë. Kosova e Paqes i tregoi Botës sesi fitohet dhe mbrohet Paqja përballë agresorëve më të fuqishëm si Serbia. Kosova dhe bijtë e saj janë një model ideal për gjithë luftëtarët botërorë të Paqes.

Dr. Shefki Hysa

Bota e Misionarëve të Paqes

(Shënime për librin “Personalite – Misionarë të Paqes” të autorit Paulin Rranzi)

Që në krye të herës, duhet thënë se libri “Personalitete – Misionarë të Paqes”, i autorit Paulin Rranzi, është disi i veçantë për zhanrin e vet dhe origjinal për nga forma dhe trajtimi i lëndës. Vëllimi është modest, në të përfshihen dhjetë tituj shkrimesh, ato janë si një buqetë lulesh nga trualli shqiptar, secila me bukurinë e saj të veçantë, thuajse të ndryshme e të pangjashme, si në një mozaik ku e veçanta e çdo ngjyre jep pamjen e së tërës. Kjo buqetë, është e lidhur me një kordele të kaltër në të cilën janë të shkruara fjalët: Paqe, dashuri, harmoni dhe mirësi.
Të veçantë e bën këtë libër larmia e individualiteteve, cilësitë dhe veçantitë që i dallojnë në veprimtaritë, që ata ushtrojnë në jetën e tyre. Gjejmë aty personalitete të fushës së politikës si të paharruarit Ibrahim Rugova, Pjetër Arbnori, politikanët e rinj Shpëtim Idrizi e Tahir Muhedini, shkrimtarë e artistë me krijimtari të spikatur si Hysen Sinani, poetët Namik Mane e Sazan Goliku, shkrimtari dhe veprimtari shoqëror Shefki Hysa dhe skulptori i mirënjohur Idriz Balani. E veçanta e autorit është tipologjia e shkrimit dhe përcjellja te lexuesi me vërtetësi dhe realizëm, thjesht e pa teprime e filozofisë, pikëpamjeve dhe veprimet e këtyre personaliteteve.
Ibrahim Rugova dhe Pjetër Arbnori, na jepen nëpërmjet mbresave personale, miqësisë, lidhjeve dhe afeksionit që ka pasur për ata shkrimtari Shefki Hysa, por le të kuptohemi, autori nuk është vetëm përcjellës i rrëfimit të zotërisë Hysa, por edhe një analist i kujdesshëm që di të rrokë nga e përgjithshmja të veçantën dhe ta paraqesë atë me artin e fjalës. Këta personalitete shihen në disa aspekte pjesore dhe jo me plotësinë e veprës së tyre, janë zgjedhur ato aspekte që duke u pasqyruar na japin imazhin e plotë të tyre. Lexuesit, përveç asaj që dinë për jetën e këtyre personaliteteve, që kanë hyrë në kufirin e legjendës, u kumtohen dhe zbulohen si në një film, që shihet për herë të parë, veçori dhe cilësi të panjohura të tyre, që karakterizojnë substancën, thelbin e filozofisë dhe humanizmit të tyre. Ndryshe nga mendësia atavike ballkanike e hakmarrjes dhe urrejtjes nacionale: Ata kanë vuajtur, por nuk urrejnë, janë persekutuar, por i falin persekutorët, u janë mohuar të drejtat, liria qytetare dhe e drejta e fjalës, por ata nuk duan dhe nuk aspirojnë po ato pësime për shkaktarët. E gjithë vepra dhe jeta e tyre rrezaton paqe, harmoni, humanizëm, mirësi dhe dashuri njerëzore. Si të tillë ata bëhen shembull për tu ndjekur dhe burim frymëzimi për lexuesin dhe brezat e ardhshëm.
Në disa shkrime të tjera, autori lëvron gjininë e esesë, e cila mbështetet në impresionet dhe përsiatjet meditative nga leximi i krijimtarisë së tyre dhe interpretimi i lirë, jashtë kornizës së kanuneve akademike, duke evidentuar kësisoj vlerat e qenësishme që ngërthehen në atë krijimtari. Esetë “Poeti i sakrifikuar për Çamërinë” dhe “Mesazhe drite dhe paqeje”, kushtuar poetëve Namik Mane dhe Sazan Goliku, janë studime të mirëfillta ku analiza, harmonizohet me sintezën, të cilat shpien në përfundime logjike për vlerat e shumanshme poetike, artistike dhe mesazhet filozofike, që përcjellin te lexuesi me krijimtarinë e tyre këta dy poetë me individualitete të ndryshëm. Kësisoj i transmetohet lexuesit mesazhi i krijimtarisë së tyre dhe i ngjallet kërshëria, që ai të njihet më nga afër e më mirë me veprën e këtyre dy autorëve.
Në shkrime të tjera si “Një jetë plot sfida” dhe “Arti i simbolikës së paqes”, kushtuar studiuesit, historianit, enciklopedistit dhe folkloristit Ibrahim Hoxha dhe skulptorit Idriz Balani, autori në shkrim përdor rrëfimin monografik, me stil të thjeshtë, por të zhdërvjellët e dinamik, duke zbuluar faqe pas faqeje madhështinë dhe përpjekjet intelektuale dhe njerëzore titanike, e pse jo, heroike të Ibrahim Hoxhës, njeriut të mallkuar nga regjimi, që me punë e përpjekje tejet njerëzore, kapërceu privacionet, diskriminimin, përbuzjen, papunësinë e varfërinë, ia doli të krijojë opusin e veprës së tij me shumë vlera. Këtë forcë atij veç cilësive dhe karakterit individual të trashëguar nga familja, ia dha dashuria dhe përkushtimi për Çamërinë dhe çështjen kombëtare. Lexuesi pas këtij rrëfimi mbetet i befasuar dhe me nderim e vlerësim të shumëfishuar për këtë personalitet të Çamërisë. Me nota po kaq të ngrohta dhe vlerësuese jepet edhe krijuesi i shumë veprave skulpturale Idriz Balani.
Ndofta duhej thënë që në fillim, se shkrimtari dhe veprimtari shoqëror çam, Shefki Hysa, për hir të marrëdhënieve, shoqërisë dhe miqësisë vetjake me zotërinë Paulin Rranzi, i ka shtuar Çamërisë dhe çamëve një mik. Jo një mik dosido, por një krijues dhe veprimtar, një misionar të paqes, që është aspiratë e gjithkujt nga ne që kemi përjetuar tmerret e luftës. Kjo miqësi e shëndetshme ka dhënë frytet e saj, që pasqyrohen në këtë botim. Nga dhjetë shkrime gjithsej që ka libri me 170 faqe, gjashtë tituj që ngërthejnë afro njëqind faqe i kushtohen Çamërisë. Autori e trajton kauzën dhe çështjen çame si një problem të qenësishëm, evident dhe aktual që kërkon zgjidhje dhe që ky komunitet, ka gjithë të drejtën në anën e vet. Ai e trajton çështjen çame nëpërmjet përjetimit të dhimbjes për gjenocidin e paparë, keqardhjes njerëzore për vuajtjet dhe mjerimet që pësoi ky komunitet, me përkushtimin e misionarit të paqes dhe këtë ndjesi ia ngulit lexuesit në mëndje dhe zemër,si një kujtesë që nuk duhet bjerrur, si një përjetim vetjak të mjerimit dhe të vuajtjeve që kaloi Çamëria, pa shkak, por vetëm e vetëm ngaqë ishin shqiptarë! Në libër Çamëria është si një lajtmotiv lidhës, ajo është e kudo ndodhur, edhe kur flitet për Dr. Rugovën, edhe për Mandelën e Ballkanit Pjetër Arbnorin, e ca më shumë te personalitetet që janë bij të kësaj krahine .
Në shtjellimin e platformës politike të dy partive, që më pas u bashkuan për të formuar PDIU, një formacion politik i ri, cilësisht më i spikatur dhe më përfaqësues e spektër mbarëkombëtar, autori shpalos të plotë rrugën dhe punën për zgjidhjen e kësaj kauze. Duke ia bërë të njohur lexuesit këtë program, në një farë mënyre bëhet edhe përgjegjësimi i krerëve politikë të këtij formacioni për detyrimin e zbatimit të tij, por edhe si një angazhim të përhershëm ndaj elektoratit të tyre, i cili mbi këtë bazë edhe do t’i vlerësojë.
Edhe pse nuk ka një trajtesë të veçantë për Bilal Xhaferrin, figurën e shquar të disidencës intelektuale antikomuniste shqiptare, ai është i pranishëm dhe feks si një far në errësirën e kohës që jetoi. Shkrimtari Shefki Hysa iu përkushtua këtij biri të Çamërisë, jo vetëm duke sjellë nga Amerika eshtrat e tij për tu prehur në atdhe, por edhe si një vazhdues i amanetit të tij atdhetar e politik nëpërmjet vazhdimit të botimit të revistës “Krahu i Shqiponjës”.
Në përfundim, nuk mund të mos ve në dukje se autori, përveç stilit të zhdërvjellët në funksion të shtjellimit të figurës së secilit personalitet, shquhet për përdorimin e gjuhës letrare, me korrektesë dhe me leksik të pasur që e bën leximin të rrjedhshëm e më të këndshëm.
Libri “Personalitete – Misionarë të Paqes”, është një arritje e autorit Paulin Rranzi. Besoj se ajo si dallëndyshe e parë, do të ndiqet edhe nga libra të tjerë në shërbim të paqes dhe përparimit të kombit tonë.
Prof. Dr. Resmi Osmani