Mesazhe shprese dhe paqeje

Shënime për vëllimin me tregime “Një natë e zakonshme” e shkrimtarit Namik Mane

Shkrimtari Namik Mane (lindur në Filat të Çamërisë më 13 mars 1942), pas botimit të librit me poezi “Pjergulla e lotëve”, vjen para lexuesit me përmbledhjen me tregime “Një natë e zakonshme”. Në tregimet e këtij libri mbizotërojnë tematika dhe problematika shoqërore. Pra, autori na paraqitet si zëdhënës i kohës që ka jetuar, e sjell të pasqyruar artistikisht atë, me dashurinë dhe dhembjen, që karakerizon krijuesit potencialë… Tregimet janë si të thuash një farë autobiografie e autorit dhe biografi e bashkëkohësve të tij nëpër rrjedhën e viteve… Ato dallohen për një pasqyrim realist të jetës, për vërtetësi dhe frymë poetike, në paraqitjen e ngjarjeve, në thurjen e tyre intuitive subjektore, në zbulimin e marrëdhënieve të personazheve e në skalitjen e tyre me viza të gjalla e të spikatura, çka ka bërë që shumë prej këtyre personazheve t’i mbeten ndër mend lexuesit…
Nëpërmjet stilit bisedor, pa sajesa, stisje, truke e artifica, Namiku krijon një prozë të shkurtër, që lexohet rrjedhshëm, ngjall kureshtjen dhe interesin e lexuesit për mënyrën sesi ndërthuren marrëdhëniet shoqërore, jo rrallë edhe të acaruara, prej peripecive, befasive të jetës dhe ndikimeve të politikës së kohës në botën shpirtërore të vet autorit dhe të njerëzve që e rrethojnë…
Namik Mane, bashkëkohës, mik i ngushtë dhe shok në letra, i shkrimtarit të shquar disident Bilal Xhaferri, është shfaqur në shtypin letrar, me krijimet e para në poezi dhe në prozën e shkurtër, që në vitet 60-të. Emri i tij, në ato vite, rreshtohej përbri krijuesve si, Bedri Myftari, Bardhyl Agasi, Moikom Zeqo etj., mirëpo për faktin se rridhte nga një fis i ardhur nga Çamëria, i fuqishëm ekonomikisht, me tradita atdhetare dhe antikomuniste, censura e kohës i hoqi të drejtën e botimit…
Në këto kushte Namik Mane luftoi gjatë për të mbijetuar, si shkrimtar, dhe krahas vlerave të vërteta letrare, që ka nxjerrë pena e tij, herë herë, për hir të botimit nëpër gazetat e kohës, u është nënshtruar edhe kërkesave të tyre për krijimtari me tematikën e rëndomtë të ditës… Kjo shihet edhe në ndonjë tregim me temën e punës, të cilin autori, i vetëdijshëm për dobësitë, e ka përfshirë në libër me dëshirën për të dhënë sa më të plotë pasqyrën e kohës së diktaturës, kur përfundoi për disa vjet dhe në internim, në Hamallë të Durrësit, (periudhë e përshkruar bukur në tregimin “I treti”), së bashku me shkrimtarin e shquar Bilal Xhaferri…
Libri “Një natë e zakonshme” është një bashkëbisedim i këndshëm i autorit me lexuesin. Tregimet janë shkruar me një gjuhë të pasur artistike, me fjali të shkurtra, që shprehin ndjenjë dhe energji, me frazeologji popullore, sidomos të krahinës së Çamërisë. Të lë mbresë fakti se autori i këtyre tregimeve është prozator vërtet i formuar dhe i kompletuar dhe, ç’është më e rëndësishmja, tani krijimtaria e tij gjendet në kulmin e pjekurisë artistike. Nuk ka sesi të mos e dallosh këtë dukuri në konceptimin origjinal të tregimeve, në mënyrën e shpalosjes së subjektit, në vizatimin e personazheve e deri në gjetjen e detajeve dhe imtësive shprehëse të veçanta, të cilat padyshim që ua shtojnë vlerat tregimeve të kësaj përmbledhjeje. Në këtë kuptim Namiku hyn në radhën e prozatorëve të mirë që kemi sot, edhe pse krijimtaria e tij është e paktë dhe deri tani e pavlerësuar ashtu siç e meriton. Tregimet e tij dallohen për mirësi e fisnikëri, si vetë shpirti i autorit, por janë njëkohësisht edhe një mesazh shprese për pajtim dhe paqe midis njerëzve të të gjitha shtresave shoqërore, pa dallim feje, race dhe ngjyre. (Lexoni me vëmendje tregimin “Grekia”, personazhen e të cilit autori e përshkruan me dashuri, pa as më të voglin mllef, megjithëse, si i dëbuar përdhunshëm prej Çamërisë, mund t’i lejonte vetes ndonjë ngarkesë emocionale negative)…
I urojmë shkrimtarit Namik Mane suksese të mëtejshme në krijimtari dhe ty, i dashur lexues, lexim të mbarë!…

Shefki Hysa
Shkrimtar

Fuqia për të rikrijuar lirinë

Shënime për romancën “Bukuroshja me hijen” e shkrimtarit Pjetër Arbnori

Duhet të jesh patjetër njeri me zemër tejet të ndjeshme, të jesh shkrirntar me të vërtetë i talentuar që të kesh njëherësh durim e fantazi për të endur mjeshtërisht me majën e penës velin farfuritës e idilik të një plazhi veror, i ndryrë përbrenda qelive të një burgu të llahtarshëm si ai i Burrelit. E pabesueshme, megjithatë realitet. Ish i burgosuri politik Pjetër Arbnori, në kushte terrori të egër, nëpër terrin e qelisë të ndriçuar vetëm me dritëzën e syve dhe zjarrin e kujtimeve të rinisë së hershme që s’arrin t’ia përlyejë dhuna fizike e psikike, që s’ia shuan dot uria, rreket jo thjesht për të mbijetuar, por edhe për të mprehur mendimin dhe ndjenjën e për t’i ngjizur pastaj në një art të veçantë. Kjo është romanca “Bukuroshja me hijen”. Fati i saj është një pjesë e fatit të autorit, e atyre njerëzve që dolën së fundi në dritë, prej rrethimit të telave me gjemba, me shpirt ende të pacënuar, në sajë të shpërthimit të energjive të fjetura.
E lexon këtë romancë e nuk ke se si të mos drithërohesh jo vetëm nga gjendjet e përprushura lirike dhe mesazhet që përçon, por për faktin se si ajo është krijuar përbrenda skutave të ngrehinës së tmerrit të burgut famëkeq të Burrelit. Nuk do ta tepronim aspak, po të shprehemi në mënyrë figurative, se kjo vlerë artistike është ngjizur e rritur njëlloj si perlat përbrenda guaskës së molusqeve të nëndeteve të thella. Gjuetarët e perlave e dinë se ç’heqin për t’i zbuluar e nxjerrë prej thellësive detare e për t’i vënë në shërbim të njeriut të tilla thesare.
Pra, kjo romancë që s’ka asgjë të përbashkët me tmerret e burgjeve, përkundrazi është një përpjekje e suksesshme e autorit, sa dëshirë dhe trill, për t’i kënduar ndjenjës njerëzore të stërlashtë sa vetë njeriu, dashurisë. Megjithëse në një fushë ku kanë hyrë e kanë dështuar shumë shkrimtarë, Pjetër Arbnori, sipas mënyrës së vet, me ngjyrimet e botës së tij emocionale, më në fund, ia del mbanë t’i thurë një himn të ri dashurisë, veshur kësaj here me karakteristika nga më shqiptaret.
Ata që do ta lexojnë këtë romancë, do të binden se pas botimit të novelës “Kur dynden vikingët”, shtëpia botuese “Bilal Xhaferri” paraqet një tjetër dëshmi artistike për talentin e pamohueshëm të këtij autori, tashmë jo të ri në moshë, por të ri në shpirt. “Bukuroshja me hijen” është një sfidë për skeptikët, për nihilistët, për mediokrët. Edhe pse brenda errësirës së burgjeve, ai në shpirtin e në veprën e tij ruajti pastërtinë e dritës, kur shumë shkrimtarë të tjerë, edhe pse jetuan në dritë, në jetën e tyre zuri vend errësira e diktaturës.
Pjetër Arbnori do ta zërë vendin që i takon në letërsinë tonë. Ai si një gjuetar i palodhur me siguri do të vazhdojë kërkimin e të tilla perlave në detet e mundimshme të krijimtar¬isë për kënaqësinë e atyre që e njohin vlerën e mrekullive. Dhe e ardhmja ka për ta shpërblyer, duke e skalitur emrin e tij në kujtesën e kohës.

Shefki Hysa
Shkrimtar

Paralajmërim

Shënime për novelën “Kur dynden vikingët” e shkrimtarit Pjetër Arbnori

Sapo lexon titullin e librit “Kur dynden vikingët” të shkrimtarit Pjetër Arbnori, mendja të shkon menjëherë te dyndjet barbare qysh ndër kohërat më të lashta. Përfytyron jo pa dhimbje qytetërime të tëra të zhdukura, popuj të zhbërë, raca e gjuhë të asimiluara. Vandalët të etur për zulmë, u kanë gllabëruar edhe shpirtin, jo vetëm materien, pa mundur të njerëzohen kurrë, t’u ngjasojnë sadopak atyre që mundoheshin të nënshtronin.
Po autori për ç’dyndje bën fjalë? Mos vallë për murtajën komuniste? Shënimi “Shkruar në burgun e Burrelit” qysh në krye si një nëntitull domethënës, të nxit mendimin se, në këtë libër, objekt i shkrimtarit rebel e kundërshtar i denjë politik i ish diktaturës, duhet të jetë pikërisht ajo klimë ferri që zotëronte gjithë lindjen komuniste e në veçanti Shqipërinë. Mirëpo që në fjalinë e parë të kësaj novele përballesh me Rajhun e tretë të ish Gjermanisë naziste. Pra, është fjala për diktaturën hitleriane, një ndër modelet më të përkryera të makinave shtypëse antinjerëzore të tipit stalinist. Shpërngulja e ngjarjeve nëpër labirintet e Gjermanisë naziste, nuk është gjë tjetër veçse mesazhi i autorit ,i dërguar nga burgu i Burrelit për ngjashmërinë e krimeve të nazizmit dhe komunizmit në jetën familjare, shoqërore e politike. Madje, të zgjohet edhe kureshtja për të zbuluar raportin midis simbolikës dhe realitetit që bart në vetvete togfjalëshi “dynden vikingët”. Pse jo “dyndeshin vikingët”? Ku e ka sekretin dhe epërsinë përdorimi i kohës së tashme të foljes dynden, në krahasim me trajtën e së shkuarës që mund t’i përshtatej edhe periudhës së zhvillimit të ngjarjeve?
Ende vazhdojnë të dynden vikingët? Në ç’përmasa dhe cilat janë pasojat e dyndjeve?
Të mundojnë një copë herë të tilla pyetje, por shpejt harrohesh në një lexim tejet emocional para asaj hapësire të çuditshme që të shpaloset e gjallë ndër sy, si brigjet tunduese e ndjellëse të sirenave të Odisesë apo si ishujt magjikë të Çirçeve ku më pas përjeton veç ankth, dhimbje, revoltë e tmerr për atë përçudnim njerëzor që të pret udhën.
Erna e hijshme flokëverdhë e sykaltër që magjeps edhe lexuesin, jo vetëm të shoqin, personazhin kryesor, me vështrimet dhe sjelljet e saj ,ku pas pasqyrimeve të gjireve të qeta shpirtërore fshihen trazimet e grackat e së keqes, është magjistarja e kohëve moderne. Vjen një çast dhe diku ngecet e nis të shplekset pëlhura e mashtrimit e endur gjatë në vegjen e padukshme të ndryrë nëpër skutat e ngrehinës diktaturë.
Atëherë del fytyra e vërtetë e Ernave me tërë shëmtimin dhe përçudnimin, pabesinë dhe kurthet që bartin shpirtrat e tyre të zinj. Atëherë s’ka se si të mos e vësh re përqasjen që autori u bën, përmes realitetit hitlerian, diktaturave të të gjitha kohëve. Madje edhe ish diktaturës shqiptare. Vdekja mbetet e neveritshme dhe gjëmëzezë në çdo rrethanë, formë e mënyrë që të ndeshesh me të. Vdekja është vdekje edhe kur të vjen prej puthjeve të vampirëve si Erna, simotrat e së cilës i kemi hasur gjatë viteve të diktaturës komuniste. Për autorin diktatura nuk është thjesht një mekanizëm i verbër, por mendja e zezë dhe dora vrastare e demonëve si avokati fon Shvajcer, i besuari fanatik i partisë-shtet. Dogmat partiake, ideali i tij i vetëm, siç është figura e demonit sinonim i së keqes. Ai njëherësh si hije nuk ndodhet askund dhe ndodhet kudo. Madje edhe shpirti i Ernës, është hija e tij, mendësia dhe tërë veprimtaria e përfaqësuesve të ligjeve e të shtetit, nuk janë gjë tjetër veç pronë e tij. Jo pa dhimbje e ndrydhje të zemrës, pa rrënqethje të mishit, paralelisht me leximin e veprës, na vijnë ndër mend tërë ajo gardë makabre partiako-shtetërore, me sekretarët e partisë, aktivistët e spiunët e lagjeve e oficerët e sigurimit që arrinin gjer aty saqë e fusnin ndokënd në burg edhe pse e kish gruan të bukur. Pra, faqet e librit e zbulojnë dalëngadalë atë botë meskine, servile, prapaskeniste e njëherësh kriminale që rrafshon çdo vlerë njerëzore, botën komuniste të themeluar për gati 50 vjet edhe në Shqipëri. E ngjashme si dy binjakë me nazizmin gjerman diktatura e kuqe. Me sa duket autori shënon nazizmin e qëllon komunizmin, atë murtajë, që i mori rininë, familjen e gjithçka. Të joshte si kënga e sirenave, si pamja e mrekullueshme e Çirçeve dhe e tërë magjistareve, propoganda hitleriane apo ajo enveriane dhe pastaj ashtu si pakuptuar ta përdhoste moralin, ndërgjegjen e po të kundërshtoje të merrte dhe shpirtin nëpër katakombat e saj, siç veproi edhe me autorin duke e përplasur burgjeve të zeza. Këtë “këngë” ndjellakeqe që shpërndan gjithandej jonet e vdekjes e ndien gjer në palcë kur lexon këtë vepër të Pjetër Arbnorit. Ndien gjithashtu edhe atë revoltë që duhet ta ketë frymëzuar aty në qelinë e errët kur ngjizte materialin jetësor për ta shndërruar në art. Kjo novelë tejet realiste me një ndjenjë të pakufishme humanizmi, që ndoshta askush nuk e priste nga një i persekutuar si Pjetër Arbnori (30 vjet burg), tingëllon si një aktakuzë e fuqishme për të gjitha kohërat e diktaturave, të atyre që kaluan e që mund të vijnë. Mjerë kulkturat e qytetërimet botërore përballë diktaturave! S’janë asgjë dyndjet e lashta të vikingëve, në krahasim me rroposjet që shkaktojnë diktaturat e monstrat e tyre, vikingët e rinj. Vdiq nazizmi, ra edhe komunizmi në Shqipëri, mirëpo rreziku i dyndjes së vikingëve ende nuk ka rreshtur. Prandaj titulli i këtij libri është njëkohësisht edhe një kushtrim për vigjilencë: kujdes, o njerëz, ruhuni nga vikingët e kohëve moderne!
Vërtet me pak faqe kjo novelë, por për nga idetë dhe mesazhi është një vepër dinjitoze që të kujton “Fati i njeriut” e Shollohovit, “Shkretëtira Tartare” e Dino Buxatit, “Plaku dhe deti” e Hemingueit, etj. Është si të thuash, një poemë për rezistencën e njeriut të nëpërkëmbur, të të gjitha kohërave, ndaj demonëve të natyrës apo të shoqërisë njerëzore. Njëkohësisht është edhe një sinjal i qartë që të jep të kuptosh se sa shumë ka humbur Shqipëria duke persekutuar talente të tilla si Pjetër Arbnori me shokë. Se mund të jenë me dhjetëra të tjerë ata që s’arritën kurrë ta thonë këngën e tyre, nga ferri i birucave qoftë edhe të vonuar.
Në fund të fundit ky libër është një befasi e këndshme dhe një fillim i suksesshëm që paralajmëron një ndihmesë të madhe, jo thjesht për lavdi vetjake të autorit, por në shërbim të kombit.

Shefki Hysa
Shkrimtar

Eva e mashtruar

Shënime për librin “Engjëll mëkatar” i poetes Mirela Rapi

“Engjëll mëkatar” titullohet vëllimi i parë poetik i 18-vjerçares Mirela Rapi, por mund t’i përshtatet bukur dhe sinonimi “Eva e mashtruar”. Çuditërisht të gjithë adoleshentet e kanë nga një brengë, zhgënjimin prej dashurisë së parë. Dashurojnë tek partneri imazhin e mrekullueshëm, që krijon bota e tyre ndjesore dhe kur ndeshin, të shumtën e rasteve, te cilësitë e rëndomta të të dashurit, zhgënjehen dhe ndihen të mashtruara siç u ndie Eva, gruaja e parë në tokë, pasi kafshoi mollën e ndaluar, e joshur prej Djallit. Zhgënjimi pllakos si një masë errësire mbytëse në shpirtin e tyre, aq sa, herë-herë, duket_¬e pashpresë dalja prej asaj nate. Shumica e vajzave me kurajë arrijnë të gjejnë, më në fund, dritën e shpëtimit në vetvete dhe atëherë i kthejnë krahët dëshpërimit, rendin në kërkim të dashurisë së vërtetë me përmasa reale. E tillë është dhe heroina e poetes së re Mirela Rapi, një “Engjell mëkatar” apo një “Evë e mashtruar”, që kërkon “Parajsën” e vet në këtë botë mëkatare, qoftë dhe larg në galaktika të reja të fantazisë.

Shefki Hysa
Shkrimtar

Vdekje Vdekjeve

Shënime për librin “Mos ma kujto vdekjen” të poetes Rudina Hasa

Poetja e re 18-vjeçare Rudina Sami Hasa me vëllimin e parë poetik “Mos ma kujto vdekjen”, paraqitet te lexuesi me atë vrull ndjenjash që do ta kishte zili cilido krijues. Në tërësi vëllimi i saj i ngjan një klithme kushtruese me tone femërore sa të brishta e këngëzuese aq edhe të thekshme, si klithma e një drenushe, pas kapërcimit të një rreziku tejet vdekjeprurës. Këlthet një shpirt adoleshent që e do marrëzisht jetën, dhe po marrëzisht urren me tërë fuqinë vajzërore gjithçka që ndjell sadopak vdekjen. Tepër e re Rudina dhe si e tillë tepër e etur për ta jetuar jetën, në të gjitha ngjyrat e gëzuara, në të gjithë spektrin e ylbertë të dashurisë, larg grisë që trashëgon ajo në këtë periudhë kalimtare, prej atij terri ku të zihej fryma.
Vdekje vdekjeve! Jo vdekjes natyrale, vdekjeve aksidentale që këpusin mizorisht jetë njerëzore që sapo i kanë kapërcyer pragjet e fëmijërisë.
Vdekje vdekjeve që përgjojnë tinëzisht jetën në çdo hap. Ky është lejtmotiv i poezisë së Rudinës. Mos jua kujtoni vdekjen të rinjve, kujtojuni sukseset që i presin në çdo kthesë të jetës.
I urojmë edhe Rudinës një jetë plot të papritura me funde të lumtur e për më tepër arriftë «Kilimanxharon» e poezisë.

Shefki Hysa
Shkrimtar

Të rilindësh prej ferrit

Shënime për romanin “Vorbulla” të shkrimtarit Pjetër Arbnori

Thuhet se Bota lindi prej Kaosit, se Drita lindi prej Territ. Mirepo nuk mund të pranohet se edhe jeta lindi prej vdekjes. Jeta është Bota plot dritë. Jeta është vazhdimisht e rrezikuar prej Vdekjes, ashtu si edhe Bota prej Kaosit, si Drita prej Territ. Megjithatë Jeta gjallon në Botë prej mijëra e mijëra vjetësh të shkuara. Jeta mbijeton, veçanërisht, te Njeriu – krijesa e vetme e arsyeshme dhe më e rrezikuara e kësaj Bote. Njeriut i kërcënohet gjithçka. Njeriu i kërcënuar bashkëjeton me rrezikun, i reziston rrezikut. Gjithandej rreziqe e mbi të gjitha rreziku prej llojit të vet.
Në vorbullat e historisë shfaqen jo vetëm individë, po edhe popuj luftëtarë. Raca të kërcënuara nga të tjera raca njerëzore. Popuj të rrezikuar nga të tjerë popuj. Midis të rrezikuarve, populli shqiptar mbetet me i rrezikuari. Ndoshta që në kohërat e Prometeut. Shqiptari – modeli i njeriut të rrezikuar. Madje edhe nga vetvetja. Gjysh pas gjyshi i gllabëruar në shtjellat e vorbullave të vdekjes.
S’mund të thuash se zjarri rindizet prej hirit të vet, por shqiptari i përvëluar nëpër luftëra, nga dyndjet e barbarëve dhe të perandorive të Perëndimit dhe të Lindjes, është rilindur prej hirit të tij. Heroi shqiptar sa e sa herë ka rilindur prej mortit që binte mbi kryet e tij. Izraelitët, të përndjekurit biblikë, nëpër valët e historisë së njerëzimit mbijetuan. U përndoqën rishtaz, pothuajse gjer në shfarosje, prej nazistëve. Njerëzimi i bëri homazhe dhimbjes izraelite. Dhimbjes shqiptare, përkundrazi, i është kthyer shpina.
Shqiptarit i është dashur të ridalë sa e sa herë prej rrënojave të perandorive. Ka rizbuluar vetveten, ashtu siç arkeologët zbulojnë statujat antike pas gërmimeve tejet lodhëse. Perandori pas perandorish janë shembur mbi kryet e shqiptarit dhe ai është ringritur, ashtu marramendthi, i përplagur, nëpër muzgjet perandorike dhe ka mundur të rezistojë heroikisht, nga njëra pragvdekje në tjetrën, nga njëri rreth i ferrit në tjetrin, përderisa ka rilindur përsëri e përsëri.
Të tillë heronj mishëron romani “Vorbulla” i shkrimtarit Pjetër Arbnori. Heronj të rilindur prej vorbullave të ferrit njerëzor. Pasi ta lexojë “Vorbullën” ndokush mund të thotë se Arbnori ka rikrijuar artistikisht një realitet historik të shkëputur prej vorbullave të muzgjeve të periudhës pas Lidhjes së Prizerenit. Mirëpo, pavarësisht nga ngjyrimet kohore dhe origjinaliteti i papërsëritshëm i ngjarjeve dhe episodeve që rrëfehen në vepër, heronjtë e saj të sjellin ndërmend luftëtarin e qëndresës së të gjithë mijëvjeçarëve shqiptarë, madje edhe heroin e rilindur prej epokës se ferrit komunist. Pra, “Vorbulla” është një prerje e historisë mijëvjeçare shqiptare, pavarësisht nga pozicioni kohor që përjetohet, është sintezë e pështjellimeve të së shkuarës dhe të së ardhmes, sa përimitim aq edhe përgjithësim artistik. Një vepër e krijuar në rrethana të pazakonshme, e lindur si shtjellë drite në terrin e burgjeve, me personazhe të pazakonshëm, që i ngjajnë, pak a shumë, krijuesit të tyre.
Arbnori u rilind prej ferrit, duke u shpëtuar mrekullisht vargonjëve të vdekjes. Ferri i kuq gllabëroi shumë viktima, si personazhet e pafat të përrallave që, për t’u pasuruar apo për të patur të Bukurën e Dheut për nuse, marrin atë “udhë nëpër të cilën vete dhe nuk kthehesh”. Përkundrazi, Arbnori, nëpër këtë udhë përfundoi në “botën e përtejme” të burgjeve komuniste. Mbijetoi gjithë tmerret e rrathëve të ferrit dhe, më në fund gjeti udhën e kthimit i ngarkuar me ngadhnjim dhe me tërë ato pasuri – veprën e vet letrare, midis tyre edhe romani “Vorbulla”, si dhe të Bukurën e Dheut – nderimi që meriton shkrimtari.
“Ai i shpëtoi epidemisë së murtajës”, thuhet në të tilla raste. Ai mbijetoi, si dhe personazhet gati mitikë të “Vorbullës”. Për hir të artit dhe aftësisë për të rilindur, ai do të gdhendet në kujtesën e brezave.

Shefki Hysa
Shkrimtar

“Parajsa” e humbur

Shënime për librin “Nata e qiparisave të huaj” e Artur Spanjollit

“Nata e qiparisave të huaj” e krijuesit të ri Artur Spanjolli është një përmbledhje me poezi dhe esse që shpreh në thelb filozofinë e moshës së tij. Arturi njëzetëvjeçar çuditërisht i ngjan një plaku të mençur në krijimet e veta. Kjo vjen, ndoshta, ngaqë ka rendur aq shumë në kërkim të parajsës së ëndërruar, saqë edhe nëse do ta gjente atë (?!), do të ishte si diçka e pavlerë për shpirtin e tij të stërmunduar që tanimë ka humbur diçka prej asaj që quhet parajsë shpirtërore-ndjeshmërinë. Kjo vjen thjesht se për të arritur një sukses të moshës ai, si shumë të rinj shqiptarë, ka harxhuar tërë potencia1in shpirtëror, atë potencial që në kushte normale do ta ndihmonte për të ndërtuar “parajsën” e tërë jetës së tij.
Sidoqoftë, tjetër gjë peripecitë e jetës e tjetër gjë vlera e krijimtarisë; Arturi në “Nata e qiparisave të huaj” shprehet si një autor i pjekur, megjithëse ky është botimi i parë. Odiseja e jetës së tij nëpër Ita1i e veçanërisht në Firence, ku arrin të marrë pjesë në një konkurs letrar dhe fiton jo vetëm një çmim, po edhe një mundësi për t’u regjistruar në Universitetin e këtij qyteti të lashtë, për letërsi moderne, i ka dhënë përvojën e një emigranti të regjur. Përvoja në njërën anë si dhe përmbledhja e krijimeve të zgjedhura, nga tre vëllime të ndryshme, brenda një libri, e bëjnë botimin “Nata e qiparisave të huaj” një vepër të spikatur për autorin njëzetëvjeçar.
Botimet që do të dalin më vonë do ta prezantojnë edhe më denjësisht Artur Spanjollin, megjithatë le të kënaqemi si fillim me këtë libër, i nderuar lexues.
Si të mbetemi të kënaqur le t’i urojmë suksese të mëtejshme këtij poeti e prozatori të gatuar prej jetës në një mënyrë disi të veçantë…

Shefki Hysa
Shkrimtar

Dita e pavarësisë, 28 nëntori 1912-2011

“As shqiponjat as populli i shqipes nuk mund ta durojë robёrinё. Ato nuk janë kanarina, qё tё kёndojnё tё lumtura nё kafaz. Kështu “shqiptarët”, populli i shqipes, iu futёn luftёs pёr pavarёsi – luftё qё do tё zgjaste pёr 2000 vjet. Me njё fjalё, e gjatё dhe e dёshpёruar pёr tokёn, gjuhёn dhe vetёqeverisjen” (1).
“Nёn uzurpimin romak kaloi nga viti 168 p.e.s. nё vitin 395 e. j. = 563 vjet.
Nёn uzurpimin bizant nga viti 395 deri nё viti 1443 = 1030 vjet.
Nёn uzurpimin turk nga viti 1479 deri nё vitin 1908 = 429 vjet. Gjithsejt 2030 vjet (2).
Pёrgjatё kёtyre 2000 vjeçarёve kaluan shumё vandalё qё e kthyen tokё tё djegur, po neve po aty me gjuhё dhe kombёsi tё trashёguar nga shqiponja e Zeusit te Pirua i Epirit te Skёnderbeu dhe sёfundi te plaku i Vlorёs Ismail Qemali me flamurin e Skёnderbeut tё ardhur nga thellёsitё e mijёvjeçarёve pёr tё shpallur pavarёsinё e Shqipёrisë.
Stёrnip i Skёnderbeut. Don Juan De Aldro Kastrioti.
“Nё njё mbrёmje nё Paris mё 1910, presidenti i Thronit tё Skёnderbeut e ftoi Eqerem Beun nё njё darkё ku u gjendёn pranё mё se 30 vetё tё aristokracisё ndёrkombёtare… i sollёn njё kuti tё kuqe stolish tё artё, çoi kapakun e kutisё dhe nxorri prej saj njё flamur tё kuq me shkabё tё zezё krahёhapun … Nё fund, at flamur ia dorёzoi Eqerem Beut tue i thanё: “Unё jam plak e druej se nuk do ta shoh dritёn e lume tё lirisё shqiptare. Ju jeni i ri, mirrje sillnie n’Atdhe! Premtoftё Perёndia qё shpejt tё shtjellohet nё qella tё lira tё Shqipnisё”. Kёshtu Murat Toptani i kallzoi Ismail Qemalit pёr flamurin. I a lypen Eqerem Beut e ai flamur i Aldro Kastriotit u valёvit si simbol lirie mbas 500 vjetёve nё Vlorё, ditёn e 28 nёntorit 1912” (3).
Ismail Qemalin e adhuronin dhe po aq e luftonin. Historiani Amerikan E. Jacques shkruan: “Mendja e tij e mprehtё dhe idetё novatore bёnё qё Sulltan Abdyl Hamiti tё kishte njёherёsh respekt e frikё prej tij. Ndonse e internuan pёr disa vjet, ati nuk i rreshtёn sё dhёni grada” (4).
“Ismal Qemali, ёshtё i pari qё cakton vend-ndodhjen e Tempullit tё Dodonёs. Nё kujtimet e tij, tregon se nё vitin 1866, ndёrsa ishte kёshilltar politik i valiut tё Janinёs, gjatё njё vizite tek pronat e njё miku tё tij nё fshatin Melingus, kishte dalluar disa rrёnoja, qё ai i lidhi me Tempullin antik tё Dodonёs. Dhjetё vjet mё vonё, tregon Ismaili, isha nё Vlorё kur ja tregova mikut tim Karapanos kёtё zbulim timin, Kёshtu Karapanosi “qё shquhej pёr shpirtin e inisjativёs” filloi menjёherё gёrmimet nё Dodonё duke nxjerrё nё dritё njё sasi thesaresh arkollogjike me vlerё tё jashtzakonshme” (5).
Dhimiter Pilika thotё: “Ndёr 1800 objektet e zhgroposura nё Dodonё mё 1875-1877 gjithçka (ndёrtesa, monumente, dhurata si ex-voto etj.) drejtpёrdrejt lidhet me kёtё mbret tё Perёndive Pellazgjike” (6).
Ismail Qemali iu pёrgjigj Konferencёs sё Londrёs se: “Ndёrtesa e Ballkanit e ngritur vetёm mbi tri kёmbё, Sёrbi, Mal i Zi, Greqi, njё ditё do tё pёrmbyset; i mungon kёmba e katёrt e natyrshme Shqipёria. Kur vet Eduard Grei e pohoi nё dhomёn e komuneve: “Jam i bindur se kur tё mёsohen tё gjitha faktet, ky vendim do kritikohet me shumё tё drejtё” (7).
Nё prag tё Luftёs sё Parё Ballkanike, qё nisi mё 8 tetor 1912, ishte krijuar aleanca e shteteve ballkanike tё cilat kishin si qёllim ndarjen territoriale tё Perandorisё Osmane. U nёnshkruan disa traktate midis shteteve tё ballkanit. Ndёrsa nё shtator tё vitit 1912 Greqia ishte marrё vesh me Sёrbinё pёr ndarjen e territoritoreve shqiptare duke marrё si vijё ndarёse lumin Shkumbin.
“Ёshtё fakt i njohur tashmё se pёrplasja shqiptaro-osmane e viteve 1911-1912, dobёsoi ndjeshёm potencialet dypalёshe. Pikёrisht pak javё pas mbarimit tё kёsaj lufte, filloi edhe sulmi ndaj territoreve shqiptare nga Mali i Zi, Sёrbia dhe Greqia. Nёse lufta e shqiptarёve do tё pёrqёndrohej kundёr kёtyre agresorёve, padyshim qё edhe harta e sotme e Shqipёrisё do tё ishte ndryshe.
Historiani amerikan Xh. Williams, dёnon ashpёr pёrsekutimin e shqiptarёve nё shekullin XX, kur thotё se: “Ështё tragjedi tej çdo pёrfytyrimi qё kjo racё madhe dhe shumё e lashtё tё katandisej nё njё gjёndje, e cila meriton tё quhet skandal i qytetёrimit evropian”. Ndёrsa, George Fred Williams nё librin “Shqiptarёt” (Tiranё 1934) e ka quajtur “kanosje pёr civilizimin perёndimor” (8).
Nё rrethana tё tylla mё 14 tetor 1912 njё grup patriotёsh shqiptarё organizuan njё mbledhje nё kryeqendrёn e vilajetit tё Kosovёs nё Shkup, nga ku u njoftuan Fuqitё e Mёdha se shqiptarёt nuk e pranonin pushtimin e tokave tё tyre. Ndёrkohё Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi udhёtuan nga Stambolli pёr nё Bukuresht mё 5 nёntor 1912, u bё njё mbledhje e madhe e shqiptarёve, por nuk dihej nёse do tё shpallej autonomia apo pavarёsia. Ismal Qemali e kishte busullёn e tij dhe mendonte se pёr çёshtjen shqiptare nё atё kohё nevojitej vetёm dipllomacia e madhe. Nga kёtej, ai shkoi nё Budapest, ku u takua me ministrin Berthold dhe pastaj nё Vjenё. Kishte gjetur mbёshtetjen e vёrtetё e cila ishte nga Italia dhe Austria dhe epillogu i kёsaj pёrpjekje ishte nё Trieste, ku ai shpalli nё momentin e nisjes me anijen “Bryn” Vendimin e madh pёr ta shpallur Shqipёrinё tё Pavarur. Kёtu duhet theksuar mbёshtetja e plote qё i dha Astro-Hungaria mbrojtjes sё interesave shqiptare.
Ismail Qemali mbriti nё Durrёs mё 21 nёntor 1912, -pёr shkak tё ushtrisё sёrbe qё po i afrohej qytetit dhe nga pritja armiqёsore e peshkop Jakovit, morri rrugёn pёr nё Vlorё mё 25 nёntor 1912. Tre ditё mё pas filloi Kuvendi i Vlorёs.

Delegatët e Kuvendit të Vlorës

Berati: Iljas Vrioni, Hajredin Cakrani, Xhelal Koprenca, Dudё Karbunara, Taq Tutulani, Sami Vrioni.
Durrёsi: Abaz Çelkupa, Mustafa Hanxhiu, Jahja Ballhysa, Dom Nikoll Kaçori.
Dibra: Myfit vehbi Dibra, Sherif Langu.
Elbasani: Shefqet Daiu, Lef Nosi, Qemal Karaosmani, Mit’hat Frashёri.
Gjirokastra: Azis Efendiu, Veli Harxhi, Elmaz Boce, Myfit Lobohova, Petro Poga, Jan Papadhopulli, Hysen Efendiu.
Ipeku (Gjakova, Plava, Gucia): Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Sali Xhuka, Qerim Begolli.
Kruja: Abdi Toptani, Mustafa Kruja.
Lushnja:Qemal Mullai, Ferit Vokopola.
Pogradeci: Hajdar Blloshmi.
Ohri dhe Struga: Zyhdi Ohri, Dr. H. Myrtezai, Nuri Sojli, Hamdi Ohri, Dervish Hima, Mustafa Barutçiu.
Shijaku: Xhemal Deliallysi, Ymer Deliallysi, Shahin Efendiu.
Tirana: Abdi Toptani, Murat Toptani.
Korca: Pandeli Çale, Thanas Floqi, Spiro Ilo.
Vlora: Ismail Qemali, Zyhni Abaz Kanina, Aristidh Ruçi, Jani Minga, Qazim Kokoshi, Eqerem Vlora.
Shkodra: Luigj Gurakuqi,
Permeti: Veli Kёlcyra, Syrja Vlora, Mit’hat Frashёri.
Kosova: Mehmet Pashё Dёralla, Isa Buletini, Hajdin Draga, Dervish Ipeku.
Peqini: Dervish Biçakçiu, Mahmut Kaziu.
Gramshi dhe Tomorrica: Ismail Qemali.
Tepelena: Kristo Meksi, Myfit Libohova, Fehim Meshgorani, Aristidh Ruçi.
Kavaja: Abdi Toptani.
Çamëria: Veli Gёrra, Vesel Margёllёçi, Azis Tahir Ajdonati, Rexhep Demi, Alush Taka.
Mati: Ahmet Zogu, Riza Beu, Kurt Aga.
Kolonia e Bukureshtit: Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja, Dhimitër Berati, Dhimitër Ilo.


28 Nëntor 1912 Kuvendi i Vlorës

Nё fillim tё mbledhjes Ismail Qemali deklaroi se qёllimi i mbledhjes ishte marja e masave tё nevojshme pёr tё shpёtuar Shqipёrinё nga reziku i madh qё i kanosej. Delegati Rexhep Mitrovica propozoi pёr kryetar tё kuvedndit Ismail Qemalin dhe pёr sekretarё Luigj Gurakuqin dhe Shefqet Daiun … Para delegatёve ai tha se nuk kishte rrugё tjetёr veç asaj tё shpalljes sё pavarёsisё. “Pёr tё plotёsuar kёtё qёllim tha Ismail Qemali, thirra zotёrinё tuaj kёtu nё Vlorё dhe shfaq gёzimin tim se thirrja nuk shkoi kot, se gjithё anёt e Shqipёrisё dёrguan delegatё qё tё mendohen e tё pёrkujdesen pёr shpёtimin e atdheut.

Kryetari i Kuvendit të Vlorës propozon:

1 – Tё shpallej Shqipёria mё vehte me njё qeveri tё pёrkohshme.
2 – Tё ngrihej njё pleqёsi pёr ndihmё e kontroll tё qeverisё.
3 – Tё dёrgohej njё komision nё Europё pёr tё mbrojtur para mbretёrive tё mёdha.

Sekretari i Kuvendi Luigj Gurakuqi lexoi tekstin e shpalljes pavarёsisё:
“Pas fjalёve qё tha Z. Ismail Qemal Beu, me tё cilat tregoi rrezikun e madh nё tё cilat ndodhet sot Shqipёria, kongresistёt me njё za vendosёn qё Shqipёria tё bёhet mё vete, e lirё dhe mos varme”.
Pas nёnshkrimeve, Kuvendi zgjodhi Ismail Qemalin kryeministёr tё qeverisё sё pёrkohshme dhe Dom Nikoll Kaçorin si zёvёndёs tё tij. Pas kёtij vendimi nё orёn 17:30 delegatёt morrёn pjesё nё ceremoninё e ngritjes sё flamurit, tё dhёnё nga stёrnipi i Skёnderbeut Don Alardo Kastrioti.
Qeveria e Vlorёs ka hyrё nё historinё e Shqipёrisё si qeveria e parё e Shqipёrisё. Ajo u formua mё 4 dhjetor 1912. Pёrbёria e Kabinetit: 1) Ismail Qemali, Kryeministёr dhe Ministёr i Punёve tё Jashtёme. 2) Dom Nikoll Kaçori, Zv/Kryeministёr. 3) Myfit Libohova (Esat Toptani, korrik gusht 1913; Hasan Prishtina, 5 shtator – 20 nёntor 1913) , Ministër i Punёve tё Mbrёndshme. 4) Abdi Toptani (Azis Vrioni; Gjergj Cako) Ministër i Financave. 5) Mit’hat Frashri, Ministër i Punëve Botore. 6) Mehmet Pashё Dёralla, Ministёr i Luftёs. 7) Luigj Gurakuqi, ministёr i Arsimit. 8) Pandali Çale (Hasan Prishtina; Qemal Karaosmani, nёntor 1913 – 22 janar 1914), Ministёr i Bujqësisë. 9) Lef Nosi, Mistёr i Post-Telegrafave. 10- Preng Bib Doda, Zv/Kryeministёr (dhjetor 1913) (9).
“Mё 29 nёntor 1912, Ismal Qemali, i njofton aktin historik gjashtё Fuqive tё Mёdha dhe shteteve tё Ballkanit. Pavarёsia u njoh nga Fuqitё e Mёdha, por jo nga Greqia dhe Sёrbia.
Situata: Nё kёtё kohё. “Ushtritё ballkanike kishin hyrё thellё nё tokёn shqiptare. Ata, tashmё, kishin pushtuar Strugёn, Elbasanin, Tiranёn dhe ishin nisur pёr nё Durrёs, kurse Vlora mbahej e rrethuar prej grekёve. Qarkullimi nёpёr Shqipёri nuk ishte aspak i lehtё, pasi bandat dhe forcat sёrbo-malazeze-greke kishin zaptuar pjesёn mё tё madhe tё vendit, duke masakruar popullin dhe duke kthyer nё tokё tё djegur” (10).
Rёnia e Qeverisё Vlorёs mё 22 janar 1914. “Gazment Shpuza zbulon me vёrtetёsi tё sakta pёr oficerin Tomson qё erdhi nё Shqipёri sipas vendimit tё Konferencёs sё Londrёs pёr organizimin e Xhandarmёrise… Tomsoni u tregua shumё aktiv kundёr tё ashtuquajturit kompllot xhonturk tё drejtuar nga Beqir Grebeneja. Ai arrestoi vet Beqirin dhe e pushkatoi, kёtё hero tё vёrtetё tё qёndresёs heroike tё shqiptarёve kundёr pushtimit tё shovenistёve grek … Arestoi gjithashtu, si turkoman edhe Çerçis Topullin e plotё tё tjerё. Nё kёtё kuadёr tё kёtij aksioni tё drejtuar nga Tomsoni u akuzua dhe u dёrgua para njё gjyqi special, tё krijuar nga Komisioni Ndёrkombtar i Kontrollit, edhe Ismail Qemali. Protogonisti kryesor i aksionit atdhetar dhe dipllomatik tё shpalljes sё pavarёsisё sё Shqipёrisё rezultonte, sipas tij me shokё, si pjesmarrёs kryesor nё kёtё kompllot turkoman kundёr kёsaj pavarёsie. Pra, nё vijim tё kёsaj logjike absurde, angazhimi i plakut tё Vlorёs nё kёtё “komplot” xhonturk ishte drejtuar, as mё shumё as mё pak, por pikёrisht kundёr veprёs sё vet. Absurditeti i kёsaj logjike nuk njeh kufi.
Ismail Qemali dha dorёheqjen si kryeministёr i qeverisё sё parё Shqiptare.
Dhespoti grek Jakovi me shokёt e tij, me 1912 penguan Ismail Qemalin pёr ngritjen e flamurit kombёtar nё Durrёs. Duhet rikujtuar se Tomsoni nuk morri pjesё kundra agresionit grek nё shqiprinё e jugut. Ai u caktua nga Vidi komisar i jashtёzakonshёm pёr viset e Jugut, pёr tё ashtuquajturin “Verio-Epir” tё pretenduar nga qarqet sunduese tё Athinёs. Vidi urdhёroi Tomsonin tё hynte nё bisedime me tё ashtuquajturin pёrfaqёsues tё “Verioepirotёve”. Nё kёto bisedime koloneli pranoi famёkeqin “Protokoll tё Korfuzit”… Siç dёshmon autori hollandez Gorrit Goslinga, shtypi grek e pёrlavdёroi shёrbimin e madh qё ai u kishte bёrё qarqeve shoveniste greke. Ishte pikёrisht Tomsoni ai qё kishte hedhur bazat e aktit aq fatal pёr fatet e shtetit tё ri shqiptar. Ёshtё kjo arsyea qё po ky shtyp, sipas tё dhёnave tё tjera, e vajtoi vrasjen e Tomsonit, pas 16 qershorit 1914. Kёto janё fakte tё cilat nuk mund tё mёnjanohen kursesi.
Tomsoni drejtonte forcat mercenare tё Vidit kundёr “rebeleve”, ndёrsa nuk kishte pranuar, t’i komandonte forcat vullnetare shqiptare nё luftёn, pёr mbrojtjen e trojeve amtare nga sulmi i forcave shoveniste greke. Ky ёshtё Tomsoni nuk ka nevoje pёr koment” (11).

Si e helmuan nё Peruxhia tё Italisё Ismail Qemalin

“Ka qёnё ora 10:20 e datёs 24 janar tё 1919-ёs, dolli para gazetarёve nё njё konferencё pёr shtyp tё organizuar nё njё sallon hoteli nё Peruxha.
Hyrja e tij nё sallё e mbushur me mbi 100 gazetarё dhe fotoreporterё i befasoi tё gjithё tё pranishmit qё kishin mbi dy orё qё prisnin dipllomatin e njohur tё Shqipёrisё. Ndёrsa ecte pёr t’u ulur nё tavolinёn nё krye tё sallёs, nё fytyrё i fashitet njё cehre e verdhё qё sa vinte shtohej. Nuk kaluan shumё minuta dhe disa tё dridhura i mbёrthyen trupin. Askush nuk po pipёtinte, vetёm plaku mjekёrbardhё, qё me gjithё gjёndjen qё po kalonte, gjeti forca pёr tё folur. Nga goja i dolёn pak fjalё dhe dukej qartё qё ai po mundohej t’i lidhte me njёra-tjetrёn. Nё atё çastё kёrkoi ndihmёn nga i biri Qamili, tё cilin e mbante pranё vetes si sekretar, i kёrkoi tё shkoi nё tualet. U kёrkoi tё falur gazetarёve tё pranishёm dhe mori hapat drejt derёs sё tualetit. Aty mёsohet se sa vuri kёmbёn pёr t’u drejtuar te lavamani filloi tё shkumёzonte dhe tё dridhej mё shumё. Ajo gjёndje nuk zgjati shumё. Nё pak çaste zёmra e tij pushoi sё rahuri. I biri del para gazetarёve ku u komunikon lajmin se i ati, tё cilin para pak çastesh e kishin nё tavolinёn pёrballё tashmё nuk jeton mё. Ajo situatё ishte e rёndё pёr tё gjithё. Aty dhimbja njerёzore i kaloi kufijtё.
Situata qё Ismail Qemali kishte kaluar ato ditё nё Peruxha tё Italisё i kishin shkaktuar njё gjёndje tё rёndё psikollogjike dhe fizike. Edhe pse nё atё gjendje, ai nuk kishte ngurruar tё dilte para shtypit. Ai donte tё denonconte krerёt e dipllomacisё italjane, nё atё kohё kur nё Paris diskutohej fati i Shqipёrisё dhe ata kishin mundur ta hanin nё besё. Megjithatё, pёr çudinё e tij, ajo konferencё ishte organizuar nga tё tjerёt. Nuk u mёsua asnjёherё se kush i kishte thirrur gazetarёt. Plaku 75 vjeçar i kishin thёnё se media kishte interes tё dёgjonte nga ai se pёrse nё ato momente nuk ndodhej nё Konferencen e Paqes nё Paris. E kёshilluan qё tё hante mire pasi nё atё konferencё shtypi do t’i duhej tё fliste gjatё. Pikёrisht pas ushqimit nuk vonoi shumё, ai dolli nё sallёn e takimit dhe nё ate moment jeta e tij filloi tё shuhej.
“Mё hёngrёn nё besё!” bёrtiti Ismail Qemali sapo zbriti nё Peruxha tё Italisё. Ai ishte nisur pёr njё vizitё urgjente nё Romё, me ftesё tё autoriteteve mё tё larta tё vendit, nga kryeministri dhe ministri i jashtёm. Kjo kishte ndodhur pas kёrkesёs sё tij. Synimi i dipllomatit shqiptar ishte qё tё ndihmohej nga pёrfaqёsuesit e Italisё, tё cilёt do tё ndёrhynin pranё autoriteteve mё tё larta tё Konferencёs sё Paqes qё mbahej nё Paris. Ismail Qemali kishte marrё pёrgjigje se kryeministri Italian Orlando dhe ministri i jashtёm Sonino e prisnin nё Romё, ai pa humbur kohё u nis pёr tё takuar. Por u pёrball sapo zbriti nё Peruxhia, me pёrgjigje negative, ishte mashtruar qё ishte thirrur nё Itali (12).
Vdiq nё Peruxhia me 24 janar 1919 dhe mё 12 shkurt kufomёn e tij e sollёn nё Vlorё dhe e varosёn nё Kaninё.
“Historiografia komuniste e Shqipёrisё me kriteret e saj leniniste nuk la pa damkosur as ata qё bёnё pjesё nё qeverinё e parё shqiptare dhe kёta janё: Myfit Libohova, Mit’hat Frashёri, Lef Nosi dhe Fejzi Alizoti. Kёta tё dy tё fundit u pushkatuan dhe gjёnden sotё nё njё gropё tё pёrbashkёt tё pazhvarrosur akoma. (13).
Referenca:
1. Edwin Jacques “Shqiptarёt” bot. 1995, f. 146.
2. Mathyeu Aref “Shqipёria” bot. 2007, f. 116
3. Rasim Bebo “Dodona tempulli i lashtё…”, bot. 2007, f. 62.
4. Ben Andoni “Ismail Qemali …”, “Illyria” 24-2-2005, f. 28.
5. Agim Shehu gazeta “Illyria” 28- 12-2006
6. Pullub Xhufi “Greqia sipas formatit…” gazeta “Illyria 24-2-2006
7. Dhimitёr Pilika ‘Pellazgёt” botimi 2005, f. 171.
8. Eleni Kocaqi “Albanet”, bot. 2006, f. 1 (Hyrje).
9. Kastriot Dervishi “Kuvendi qё shpalli….”, “Illyria” 4-12-2006, f. 25.
10. Erion Habilaj, Sonila Yzeiri “Histotia si pёrfunduan…”, “Illyria” 25-11-2006,
11. Albert Kotini “Tre gurёt e zezё nё…”,“Tomsoni dhe Verio-Epiri” bot. 2000, f. 641.
12. Fatos Veliu “Si u helmua Ismail Qemali nё Peruxhia…”, “Illyria” 25-11-2006, f. 24.
13. K. Dervishi, “Trdhёtaret” e qeverisё sё Vlorёs” Illyria 28-12-2006, f. 30.

Rasim Bebo
Addison, Çikago
Tetor 2011